Kina zbulon planin kombëtar të veprimit për kontrollin e sëmundjeve
2024-05-31 11:31:44

CFP

CFP

Kina ka publikuar një plan veprimi gjithëpërfshirës kombëtar për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve për vitet 2024-2025, duke detajuar 10 masa specifike që synojnë përmirësimin e sistemit shëndetësor publik të vendit, bën të ditur “Xinhua”.

Plani, i publikuar së bashku nga Administrata Kombëtare e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve dhe nëntë departamente të tjera, përshkruan veprimet për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive akute të frymëmarrjes, duke përfshirë Covid-19, dhe sëmundje të tjera infektive.

Plani synon të krijojë një sistem modern të kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve deri në vitin 2025, i karakterizuar nga një reagim i shpejtë, monitorim efikas i sëmundjeve infektive, paralajmërim të hershëm dhe sistem reagimi emergjent.

Ai gjithashtu kërkon të përmirësojë sistemin administrativ të zbatimit të ligjit për shëndetin, të përmirësojë aftësitë kërkimore të institucioneve të kontrollit të sëmundjeve dhe të forcojë sistemin e edukimit dhe trajnimit për personelin e kontrollit të sëmundjeve.

Për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve akute infektive të frymëmarrjes, si Covid-19, plani thekson fokusimin në institucionet kyçe si shkollat, shtëpitë e të moshuarve dhe shtëpitë e mirëqenies, dhe duke synuar grupet kryesore, veçanërisht të moshuarit dhe fëmijët.

Plani synon gjithashtu të zgjerojë mbulimin e ekzaminimit për HIV/AIDS dhe trajtimin antiretroviral, të forcojë furnizimin me barna, të përmirësojë aksesin e trajtimit dhe të zvogëlojë barrën e kostove mjekësore për pacientët. (Elona)