Xi Jinping takohet me Mbretin e Bahreinit
2024-05-31 20:47:06

Presidenti Xi Jinping u takua të premten pasdite me Mbretin e Bahreinit, Hamad Bin Issa Al Khalifa, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në Kinë dhe ndërkohë mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Mbledhjes së Dhjetë Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Vendet Arabe në Pekin. 

Dy udhëheqësit shpallën krijimin e një partneriteti të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Bahreinit.

foto: VCG

foto: VCG

Xi Jinping theksoi se Bahreini është një mik dhe partner i mirë i Kinës në rajonin e Gjirit. Këtë vit shënohet 35 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Të dyja palët ranë dakord të ngrejnë marrëdhëniet midis Kinës dhe Bahreinit në nivelin e një partneriteti të gjithanshëm strategjik, duke shënuar një gur të ri kilometrik në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kina është e gatshme të punojë me Bahreinin për të zhvilluar sa më mirë këtë partneritet të gjithanshëm strategjik dhe për të sjellë sa më shumë përfitime për popujt e të dy vendeve.

Xi theksoi se Kina mbështet me vendosmëri Bahreinin në ruajtjen e sovranitetit, sigurisë dhe stabilitetit të tij kombëtar. Ajo mbështet rrugën e zhvillimit të pavarur të Bahreinit, vizionin ekonomik të Bahreinit 2030 dhe strategjinë e zhvillimit të diversifikuar. Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Bahreinin në fusha si energjia, investimet, transporti, energjia e re, ekonomia digjitale, për të nxitur ndërtimin me cilësi të lartë të nismës "Një brez, një rrugë".

Nga ana e tij, Mbreti i Bahreinit theksoi se Kina është një vend i madh, që ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për ndërtimin e Bahreinit, për të cilën Bahreini shpreh mirënjohje të thellë. Bahreini shpreson të përdorë mundësinë e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik, për të ndërlidhur strategjitë e zhvillimit të të dy vendeve, për të forcuar bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme dhe për të ndihmuar Bahreinin të arrijë zhvillimin e diversifikuar. Bahreini mbështet me vendosmëri politikën e “një Kine” dhe mbështet përpjekjet e Kinës për të realizuar bashkimin paqësor. Bahreini është i bindur se Kina do të arrijë ripërtëritjen e madhe të kombit kinez dhe do të kontribuojë më shumë për paqen dhe prosperitetin botëror.

Hamad prezantoi takimin e fundit të Këshillit të Krerëve të Lidhjes së Shteteve Arabe, duke theksuar qëndrimin e vendeve arabe mbi çështjen palestineze dhe përpjekjet për të ndihmuar në përfundimin sa më të shpejtë të konfliktit në Gaza. Ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për Kinën, për mbajtjen e një qëndrimi të drejtë, duke shpresuar që Kina të luajë një rol më të madh. Xi Jinping theksoi se Kina dhe Bahreini kanë të njëjtin qëndrim mbi çështjen palestineze. Kina vlerëson qëndrimin e përbashkët të vendeve arabe në Këshillin e Krerëve të Lidhjes së Shteteve Arabe mbi çështjen palestineze dhe është e gatshme të punojë me Bahreinin dhe vendet e tjera arabe, për të nxitur një zgjidhje të plotë, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze.

Pas bisedimeve, dy udhëheqësit morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të disa dokumenteve të bashkëpunimit dypalësh në fusha si investimet, zhvillimi i gjelbër me karbon të ulët, tregtia elektronike dhe ekonomia digjitale.

Të dyja palët publikuan "Deklaratën e Përbashkët të Republikës Popullore të Kinës dhe Mbretërisë së Bahreinit mbi krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik ".

Para bisedimeve, Xi Jinping mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për Mbretin Hamad dhe mbrëmjen e po asaj dite, Xi organizoi një darkë mirëseardhjeje për Mbretin Hamad në Sallën e Artë të Sallës së Popullit. (Li Huailiang/Elona)