Li Qiang: Kina do të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh me Malajzinë
2024-05-30 20:52:39

Kryeministri kinez Li Qiang tha të mërkurën se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh me Malajzinë për të mbrojtur mjedisin e mirë të zhvillimit në Azinë Lindore, i cili është arritur me shumë vështirësi.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Li i bëri këto komente gjatë takimit  në Pekin me zv.kryeministrin dhe ministrin e Zhvillimit Rural e Rajonal të Malajzisë, Dato' Seri Dr. Ahmad Zahid bin Hamidi.

Kryeministri Li tha se ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Kina është e gatshme të çojë përpara shkëmbimet e nivelit të lartë në përputhje me udhëzimet strategjike të udhëheqësve të të dy vendeve. Të dy palët duhet të mbështesin me vendosmëri njëra-tjetrën në ruajtjen e interesave themelorë si sovraniteti e siguria, të përdorin më mirë epërsitë e tyre ekonomike përplotësuese për të kërkuar sinergji për zhvillimin dhe të kontribuojnë në lulëzimin dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Ahmad Zahid u shpreh se Malajzia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në ekonomi, tregti, investime, arsimin profesional, zhvillimin e qëndrueshëm e fusha të tjera, të promovojë shkëmbimet njerëzore dhe të nxitë partneritetin e gjithanshëm strategjik dypalësh.

Malajzia mbështet me vendosmëri politikën e "një Kine" dhe dënon të gjitha format e "kinofobisë", vuri në dukje ai, duke shtuar që në marrëdhëniet ndërmjet Malajzisë e Kinës nuk ndikon apo nuk ndërhyn ndonjë forcë e jashtme.

Ahmad Zahid tha gjithashtu se Malajzia është e përkushtuar për të çuar përpara negociatat mbi Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore dhe çdo përpjekje nga forcat e jashtme për të shkaktuar trazira në Detin e Kinës Jugore nuk do të kenë sukses. Malajzia është e gatshme të punojë së bashku me Kinën për të thelluar më tej bashkërendimin dhe bashkëpunimin në çështjet rajonale e ndërkombëtare, u shpreh ai. (Li Huailiang/Artan)