Foto nga CFP
Ndërmarrjet shtetërore në Kinë ruajtën operacione të qëndrueshme në katër muajt e parë të vitit, duke raportuar rritje totale të të ardhurave dhe fitimeve, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën nga Ministria e Financave, shkruan “Xinhua”.
Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe, ndërmarrjet shtetërore gjeneruan më shumë se 26.19 trilionë juanë (rreth 3.68 trilionë dollarë amerikanë) të ardhura operative, 3.2 për qind më shumë se një vit më parë.
Fitimet e kombinuara të tyre patën një rritje vjetore prej 3.8 për qind në mbi 1.38 trilionë juanë, treguan të dhënat.
Raporti i borxhit të ndërmarrjeve shtetërore ndaj aktiveve arriti në 64.9 për qind në fund të prillit, 0.1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë, sipas ministrisë.
Këto shifra, të cilat përjashtojnë firmat financiare, janë mbledhur nga ndërmarrjet shtetërore në rajonet e nivelit provincial dhe ato të administruara nga qeveria qendrore.
Kina ka ndërmarrë masa për të forcuar mbikëqyrjen e ndërmarrjeve shtetërore dhe ka theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të thelluar reformën ndaj tyre kohët e fundit.
Këshilli i Shtetit ka nxjerrë një rregullore disiplinore për ata që janë në pozita drejtuese në ndërmarrjet shtetërore, për të intensifikuar mbikëqyrjen e menaxherëve të këtyre ndërmarrjeve. Rregullorja do të hyjë në fuqi më 1 shtator. (Irma)