Wang Yi mban videofjalim në forumin e instituteve të studimit të politikave Kinë-Rusi
2024-05-30 22:09:10

Anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi mbajti një videofjalim me titull "Të ndjekim aspiratën fillestare dhe të vazhdojmë përpara" në Forumin e Nivelit të Lartë të Instituteve të Studimit të Politikave Kinë-Rusi.

foto: VCG

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Wang Yi tha se, gjatë 75 viteve të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë kaluar shumë prova dhe janë bërë një model i ri i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i marrëdhënieve midis dy fuqive të mëdha fqinje. Në kohën e tanishme bota po përjeton ndryshime të mëdha dhe po hyn në një periudhë të re trazirash e ndryshimesh. Një botë e tillë ka nevojë për përgjegjësi të madhe nga fuqitë e mëdha dhe bashkëpunimi midis Kinës e Rusisë është bërë më i çmuar se kurrë. Kohët e fundit presidenti rus Vladimir Putin bëri një vizitë shtetërore në Kinë. Presidenti Xi dhe presidenti Putin kanë hartuar një plan për bashkëpunimin strategjik ndërmjet të dy vendeve në epokën e re, duke dhënë udhëzime për bashkëpunimin strategjik dypalësh.

Wang Yi theksoi se në këtë pikë të re historike, Kina dhe Rusia do të ndjekim frymën fillestare dhe do të vazhdojnë përpara, duke sjellë më shumë mirëqenie për popujt e të dy vendeve dhe duke kontribuuar më shumë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë globale.

Së pari, Kina dhe Rusia duhet të mbështesin njëra-tjetrën për zhvillimin dhe rilindjen kombëtare të tyre.

Së dyti, Kina dhe Rusia duhet të realizojnë përfitime të ndërsjella nëpërmjet bashkëpunimit të hapur.

Së treti, Kina dhe Rusia duhet të forcojnë bazën e mbështetjes popullore nëpërmjet shkëmbimeve kulturore.

Së katërti, Kina dhe Rusia duhet të udhëheqin qeverisjen globale me përgjegjësi dhe angazhim. Të dy vendet duhet të promovojnë multipolarizmin dhe globalizimin ekonomik nëpërmjet multilateralizmit të vërtetë.

Së pesti, Kina dhe Rusia duhet të marrin pjesë në çështjet ndërkombëtare me një qëndrim të drejtë. Kina gjithmonë mban qëndrimin e vet dhe merr vendime në mënyrë të pavarur e sovrane në çështjet ndërkombëtare, duke luajtur një rol konstruktiv. Kina mbështet drejtimin e duhur për një zgjidhje politike të krizës së Ukrainës dhe shpreson për rikthimin sa më parë të paqes dhe qëndrueshmërisë në kontinentin europian. Kina gjithashtu mbështet zbatimin e rezolutave të OKB-së dhe zgjidhjen e çështjes palestineze mbi bazën e "zgjidhjes me dy shtete".

Forumi i Nivelit të Lartë i Instituteve të Studimit të Politikave Kinë-Rusi u themelua në vitin 2018 nga Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës dhe Këshilli për Çështje Ndërkombëtare i Rusisë. Tema e këtij forumi është “‘Kina dhe Rusia: Bashkëpunim në epokën e re’ dhe kremtimi i 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Rusisë”. Në këtë forum do të diskutohen ndryshimet në arenën ndërkombëtare, integrimi i nismës "Një brez, një rrugë" me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, ndërlidhja midis të dy vendeve dhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e  risive teknologjike. (Li Huailiang/Artan)