Kina angazhohet për modernizimin e sistemit të mbrojtjes së pronësisë intelektuale
2024-05-30 16:55:33

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Duke udhëhequr botën në aplikimet për patenta, Kina po bën hapa drejt shndërrimit në një fuqi të pronësisë intelektuale dhe plani i sapozbuluar për krijimin e një sistemi të mbrojtjes së pronësisë intelektuale përfaqëson hapin më të fundit të vendit në këtë përpjekje, shkruan “Xinhua”.

Projekti u formulua nga Administrata Kombëtare e Pronësisë Intelektuale të Kinës (CNIPA), rregullatori më i lartë i pronësisë intelektuale në vend, dhe tetë autoritete të tjera.

“Ai shërben si një udhërrëfyes për zhvillimin e pronësisë intelektuale deri në vitin 2035, me Kinën që synon të modernizojë dhe forcojë sistemin e saj të mbrojtjes së pronësisë intelektuale deri në atë datë”,- deklaroi në konferencën për shtyp Guo Wen, zëdhënës i CNIPA-së.

Dokumenti thekson angazhimin e Kinës për mbrojtjen e pronësisë intelektuale duke përmirësuar efikasitetin e rishikimit, duke forcuar mbrojtjen ligjore dhe duke u fokusuar në industritë në zhvillim.

Kina ka bërë përmirësime të konsiderueshme në efikasitetin e procesit të shqyrtimit të patentave vitet e fundit, duke e bërë atë një nga më efikaset në nivel global. Sipas të dhënave të publikuara nga CNIPA, koha e rishikimit vitin e kaluar u reduktua në vetëm 16 muaj, më e shkurtër se ajo e SHBA-së, Europës, Japonisë dhe Republikës së Koresë.

Plani i ri synon të përshpejtojë më tej procesin e ekzaminimit për patentat e shpikjeve, duke e shkurtuar atë në 15 muaj deri në vitin 2025.

Në plan theksohet edhe ngritja e qendrave që ofrojnë shërbime efikase për sipërmarrjet, si shqyrtimi, verifikimi dhe mbrojtja e patentave. Këto qendra do të ndërtohen në bashkëpunim me qeveritë vendore për të adresuar sfidat në marrjen e provave dhe për të zvogëluar kohën dhe koston e përfshirë në mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Tashmë janë krijuar qendra të shumta të shërbimit të shpejtë të pronësisë intelektuale në mbarë vendin, duke u shërbyer mbi 150.000 ndërmarrjeve.

Sipas planit, më shumë përpjekje do t'i kushtohen zgjerimit të mbulimit.

Në lidhje me rritjen e mbrojtjes gjyqësore të të drejtave të pronësisë intelektuale, plani propozon forcimin e gjykatave të pronësisë intelektuale, zbatimin e plotë të sistemit të dëmeve ndëshkuese për shkeljen e pronësisë intelektuale dhe përmirësimin e rregullave të provës dhe llogaritjes së dëmeve nga shkeljet.

Dëmet ndëshkuese, të cilat janë kompensime të dhëna përveç dëmeve aktuale, synojnë të rrisin koston e shkeljes së pronësisë intelektuale. Sistemi i kompensimit ndëshkues në fushën e pronësisë intelektuale ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme.

Në vitin 2023, gjykatat kineze aplikuan dëmshpërblime në 319 raste të shkeljes së pronësisë intelektuale, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme vjetore prej 117 përqind.

Organet gjyqësore kanë goditur gjithashtu regjistrimin me qëllim të keq të markave tregtare, si dhe shkeljen dhe falsifikimin e markave tregtare, dhe i kanë kushtuar përpjekje optimizimit të mbrojtjes së llojeve të reja të të drejtave dhe interesave të pronësisë intelektuale, duke përfshirë ato që përfshijnë inteligjencën artificiale dhe të drejtat e pronës së të dhënave.  (Irma)