Mbahet Forumi Kinë-Azi Qendrore për "Zhvillimin e të Drejtave të Njeriut"
2024-05-30 12:18:45

Ditën e martë dhe të mërkurë u zhvillua në Astana të Kazakistanit Forumi Kinë - Azi Qendrore për "Zhvillimin e të Drejtave të Njeriut", për vitin 2024. 

Forumi u organizua nga Fondacioni i Zhvillimit të të Drejtave të Njeriut i Kinës. 

Tema kryesore ishte "Bashkësia e fateve të përbashkëta Kinë-Azi Qendrore: Perspektiva e re e zhvillimit të të drejtave të njeriut". 

Në forum morën pjesë mbi 100 zyrtarë, ekspertë e studiues të të drejtave të njeriut të Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore.

Forumi u drejtua nga Zv/Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Fondacionit të Zhvillimit të të Drejtave të Njeriut të Kinës, Zuo Feng. 

Ai u shpreh se Kina dhe vendet e Azisë Qendrore janë shtete në zhvillim, përballojnë detyrat e përbashkëta të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të nivelit të jetesës së popullit. Ato kanë shumë mendime të përbashkëta ose të përafërta, në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut. Aktualisht Kina dhe vendet e Azisë Qendrore po punojnë për të forcuar përfaqësinë e vendeve në zhvillim, në sistemin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, duke e çuar çështjen e zhvillimit global të të drejtave të njeriut, në drejtimin më të barabartë, më të drejtë e më të arsyeshëm.

Ekspertë nga Drejtoria e të Drejtave të Njeriut e Zyrës së Presidentit të Taxhikistanit, Instituti Strategjik i Presidentit të Kazakistanit, Qendra Kombëtare e të Drejtave të Njeriut e Uzbekistanit etj. diskutuan rreth zhvillimit të përbashkët dhe sigurimin e të drejtave të njeriut, shkëmbimet e qytetërimeve dhe progresin e të drejtave të njeriut, etj. 

Ata u shprehën se ky forum është një platformë e rëndësishme për këmbimin e përvojës për sigurimin e të drejtave të njeriut. Marrëdhëniet mes vendeve të Azisë Qendrore dhe Kinës bazohen në dëshirën e përbashkët për barazi, besimin reciprok, përfitimet e përbashkëta dhe zhvillimin e vazhdueshëm. Sistemi i bashkëpunimit Azi Qendrore-Kinë ka sjellë mundësi për sigurimin e të drejtave të njeriut, mirëqenien e popullit dhe zhvillimin ekonomik.

Në shtator 2023, Fondacioni i Zhvillimit të të Drejtave të Njeriut i Kinës zhvilloi për herë të parë në Pekin Forumin Kinë-Azi Qendrore për "Zhvillimin e të Drejtave të Njeriut", ku u përcaktua zhvillimi me radhë i forumit në Kinë dhe në vendet e Azisë Qendrore. (Fani)