Kina dhe Italia zotohen të rrisin bashkëpunimin dhe shkëmbimet
2024-05-30 17:09:19

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kina është e gatshme të rinovojë miqësinë tradicionale me Italinë, të forcojë besimin e ndërsjellë politik, të thellojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe të promovojë shkëmbimet kulturore, në mënyrë që të sjellë përfitime për të dy popujt, deklaroi zyrtari politik kinez, Yin Li, i cili drejtoi një delegacion të PKK-së në Itali, me ftesë të Partisë Demokratike italine, shkruan “Xinhua”.

Sipas tij, nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shteteve, Kina dhe Italia kanë ruajtur një nivel të lartë të marrëdhënieve dypalëshe përmes besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të ngushtë.

Gjatë vizitës, delegacioni kinez u takua me presidentin e Senatit italian, Ignazio La Russa, ministrin italian të Ndërmarrjeve, Adolfo Urso, kreun e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike Italiane, Giuseppe Provenzano, kryebashkiakun e Romës, Roberto Gualtieri, dhe kryetarin e Bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi.

Gjatë takimeve, Yin tha se ndërsa ky vit shënon 20-vjetorin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Itali, Kina është e gatshme të punojë me Italinë për të mbrojtur paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin në botë.

Yin, gjithashtu zyrtar politik në Komitetin Bashkiak të Pekinit, tha se bashkia e kryeqytetit kinez do të ndjekë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga liderët e të dy vendeve, për t'i dhënë një shtysë të re zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit nënkombëtar.

Pala italiane bëri të ditur se Italia dhe Kina, të dyja qytetërime të lashta, ndajnë një miqësi të thellë. Në një peizazh ndërkombëtar gjithnjë në zhvillim, Italia e konsideron Kinën si një partner strategjik të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës dhe është e gatshme të mbajë një qëndrim të hapur për të lehtësuar shkëmbimet në nivele të ndryshme, për të forcuar bashkëpunimin në fusha të tilla si transformimi i gjelbër, ekonomia dixhitale dhe kultura dhe turizmi, si dhe mirëpret më shumë ndërmarrje kineze për të investuar në Itali.

Pala italiane shprehu besimin se bashkëpunimi Itali-Kinë do të ndihmojë në drejtimin e zhvillimit global në drejtimin e duhur.  (Irma)