Presidenti kinez takon homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe
2024-05-30 20:40:28

Të enjten pasdite, presidenti i Kinës Xi Jinping u takua me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan, i cili po bën një vizitë shtetërore në Kinë dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Mbledhjes së 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe në Pekin.

Xi vuri në dukje se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një partner strategjik i rëndësishëm i Kinës. Sivjet është 40-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Kina është e gatshme të punojë me Emiratet e Bashkuara Arabe për të ruajtur drejtimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe nga një perspektivë strategjike e afatgjatë, duke siguruar që marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik  ndërmjet të dy vendeve të vazhdojnë të lulëzojnë.

Xi Jinping-u theksoi se Kina mbështet Emiratet e Bashkuara Arabe që të ndjekin një rrugë të pavarur zhvillimi dhe të ruajnë sovranitetin, sigurinë e interesat e zhvillimit të vendit. Kina është e gatshme të forcojë besimin e ndërsjellë politik dhe të rrisë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke punuar së bashku për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta ndërmjet të dy vendeve. Pala kineze është e gatshme të forcojë bashkëpunimin në fushën e tregtisë, energjetikës e infrastrukturës, si edhe të zgjerojë bashkëpunimin në fushat e teknologjisë së lartë, si teknologjia e informacionit, inteligjenca artificiale, ekonomia digjitale dhe energjia e re.

Kohët e fundit, Xi u përgjigj një letre të studentëve që mësojnë kinezisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i nxitur ata ta përvetësojnë mirë gjuhën kineze e ta kuptojnë më mirë Kinën, për të kontribuuar në miqësinë ndërmjet Kinës e Emirateve të Bashkuara Arabe. Kina është e gatshme të vazhdojë të mbështesë projektin "Gjuha kineze në 100 shkolla" dhe të promovojë ndërtimin e Qendrës Kulturore Kineze në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shtuar shkëmbimet kulturore dhe duke forcuar mirëkuptimin dhe miqësinë e ndërsjellë.

foto: VCG

foto: VCG

Kreu i shtetit kinez vuri në dukje në vijim se Kina është e gatshme të punojë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet  tjera arabe për të organizuar Samitin e Dytë Kinë-Shtetet Arabe dhe për të promovuar ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta kino-arabe.

Nga ana e tij, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan tha se është shumë i lumtur që viziton përsëri atdheun e tij të dytë, Kinën, dhe që mori pjesë së bashku me presidentin Xi Jinping në ceremoninë e hapjes së Mbledhjes së 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe i kushtojnë rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën, i japin Kinës përparësinë më të madhe në diplomacinë e tyre dhe e konsiderojnë Kinën si një partnere strategjike të besueshme dhe afatgjatë. Me rastin e 40-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve, Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme të thellojnë dhe të zgjerojnë më tej bashkëpunimin me Kinën në fusha si tregtia, investimet, energjetika, teknologjia, arsimi dhe shkëmbimet kulturore. Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe përkrah me vendosmëri politikën e “një Kine”, kundërshton çdo formë të "pavarësisë së Tajvanit" dhe mbështet përpjekjet e Kinës për të arritur bashkimin kombëtar.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Xi theksoi se është urgjente të arrihet një armëpushim i plotë dhe të zbutet kriza humanitare. Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë zgjidhjen e çështjes palestineze nëpërmjet negociatave sa më shpejt të jetë e mundur, duke u bazuar në zgjidhjen me dy shtete. Kina dhe shtetet arabe kanë një qëndrim të përbashkët mbi çështjen palestineze dhe duhet të punojnë së bashku për të arritur një zgjidhje të plotë, të drejtë e të qëndrueshme të kësaj çështjeje.

Pas bisedimeve, të dy udhëheqësit morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të disa dokumenteve të bashkëpunimit dypalësh në fusha si investimet, ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë", teknologjia, përdorimi paqësor i energjisë bërthamore, mësimdhënia e gjuhës kineze, kultura dhe turizmi. (Li Huailiang/Artan)