Ministri Gonxhja: Praktikat e suksesshme të Bankës Hungareze të Zhvillimit, model i vlefshëm për Shqipërinë
2024-05-30 11:55:29

Ministri hungarez (Foto Rtsh)

Ministri hungarez (Foto Rtsh)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë vizitës zyrtare në Hungari, u takua për përfaqësues të Bankës Hungareze të Zhvillimit (MFB), me kapital shtetëror, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja bëri të ditur se gjatë këtij takimi delegacioni që ai kryeson u njoh nga afër me aktivitetet kryesore të bankës, pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillim ekonomik, orientuar nga Ministria hungareze e Ekonomisë Kombëtare.

Kjo bankë mbështet fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe menaxhon fondet në kuadër të programeve të Bashkimit Evropian.

“Kontributi i MFB-së në rritjen e balancuar ekonomike dhe përfshirjen e saj aktive në realizimin e objektivave strategjike është për t’u vlerësuar, ndaj i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit me institucionet financiare shtetërore për të mësuar nga eksperienca të tilla të nxitjes së investimeve dhe zhvillimit ekonomik”,- bëri të ditur ministri Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, përvojat dhe praktikat e suksesshme të Bankës Hungareze të Zhvillimit janë një model i vlefshëm për Shqipërinë, duke ndihmuar në nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Në vitin 2023, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Hungarisë u llogaritën në 32.609 tonë në sasi dhe gati 8 miliardë lekë në vlerë. (Irma)