Xi Jinping takohet me homologun egjiptian
2024-05-29 20:48:38

foto: VCG

foto: VCG

Të mërkurën pasdite, Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin me Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi, i cili ndodhej në Kinë për të marrë pjesë në hapjen e Konferencës së 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe, si edhe për të zhvilluar një vizitë shtetërore. 

Xi Jinping vuri në dukje se 68 vjet më parë, Egjipti ishte vendi i parë arab dhe afrikan, i cili vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Pavarësisht situatës ndërkombëtare në ndryshim të vazhdueshëm, të dy vendet kanë patur gjithmonë besim tek njëri-tjetri, kanë bashkëpunuar sinqerisht dhe janë zhvilluar krah për krahu. 

Ky vit shënon 10 vjetorin e krijimit të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës mes Kinës dhe Egjiptit. "Gjatë 10 viteve të fundit, Presidenti Abdel Fattah El-Sisi dhe unë, kemi udhëhequr bashkërisht zhvillimin e vrullshëm të marrëdhënieve dypalëshe." shtoi Xi.

Xi Jinping theksoi se Kina po përparon në mënyrë gjithëpërfshirëse, në kauzën e madhe të ndërtimit të një vendi të fortë dhe rinovimit të kombit. Shkëmbimi dhe bashkëpunimi Kinë-Egjipt në fusha të ndryshme, po përballet me mundësira historike. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të mbështesin fort njëra-tjetrën dhe të punojnë së bashku për të nxitur zhvillimin e përbashkët. 

foto: VCG

foto: VCG

Presidenti Xi shtoi se Kina mbështet Egjiptin për të luajtur një rol sa më të madh në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale. Ajo është e gatshme të intensifikojë më tej koordinimin dhe bashkëpunimin me Egjiptin në platforma shumëpalëshe si OKB, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait dhe mekanizmin e bashkëpunimit BRICS, për të ndërtuar një botë shumëpolare të barabartë e të rregullt, për të nxitur globalizimin ekonomik dhe për të mbrojtur së bashku drejtësinë ndërkombëtare dhe interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim. 

Presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi u shpreh shumë i lumtur për vizitën shtetërore në Kinë dhe pjesëmarrjen në hapjen e Konferencës së 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe. 

Bota aktualisht po kalon ndryshime të thella dhe komplekse. Lindja e Mesme është në krizë të thellë. Egjipti pret të thellojë më tej partneritetin e tij strategjik gjithëpërfshirës me Kinën, si edhe të nxisë paqen dhe stabilitetin rajonal. Egjipti i përmbahet parimit të një Kine, mbështet me vendosmëri qëndrimin e Kinës për çështjet me interesa thelbësore si Tajvani, Hong Kongu, Tibeti dhe të drejtat e njeriut. Ai mbështet fuqishëm Kinën në arritjen e një ribashkimi të plotë kombëtar. 

Egjipti mirëpret më shumë kompani kineze për të investuar dhe bashkëpunuar në vend, për të ndihmuar zhvillimin e prodhimit dhe procesin e industrializimit të tij. Egjipti vlerëson nismat globale të propozuara nga Presidenti Xi Jinping. Gjithashtu është i gatshëm të punojë ngushtë me Kinën në një bashkëpunim shumëpalësh, për të dhënë kontribute pozitive për paqen dhe përparimin e njerëzimit. 

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime për konfliktin palestinezo-izraelit. 

Pas bisedimeve, të dy krerët dëshmuan bashkarisht nënshkrimin e disa marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh. Të dyja palët publikuan "Deklaratën e përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës Arabe të Egjiptit për Thellimin e Marrëdhënieve të Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik".