Pikat kryesore të “Raportit për shkeljen e të drejtave të njeriut nga ShBA-ja" për vitin 2023
2024-05-29 18:24:54

Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi të mërkurën "Raportin për shkeljen e të drejtave të njeriut nga ShBA-ja" për vitin 2023. Në vijim janë pikat kryesore të këtij raporti.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në vitin 2023, situata e shkeljes të të drejtave të njeriut në ShBA u përkeqësua më tej. Në këtë vend po thellohet gjithnjë e më shumë hendeku për sa u përket të drejtave të njeriut. Në krahasim me pakicën që sundon në fushat politike, ekonomike e shoqërore, shumica e masave popullore janë mënjanuar më tej. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut tashmë kanë humbur vlerën.

Problemi ekzistues i dhunës me armë vështirë të zhduket, si pasojë e mungesës së kontrollit të duhur nga qeveria. Në vitin 2023, në ShBA ndodhën të paktën 654 ngjarje serioze me armë zjarri. Dhuna nga armët shkaktoi gati 43 mijë të vdekur, ose mesatarisht 117 veta në ditë. Me acarimin e luftës midis partive dhe me nxitjen e grupeve të interesit, gjithnjë e më shumë shtete amerikane kanë hartuar ligje për të shtuar të drejtat e banorëve për të mbajtur armë. Në vitin 2023, u lejua armëmbajtja pa leje në të paktën 27 shtete amerikane, 11 më shumë në krahasim me vitin 2020.

Qeveria shpërdoron kompetencën për kontrollin e privatësisë së shtetasve, gjë që frenon lirinë e shprehjes. Byroja Federale e Hetimit (FBI) e ShBA-së e përdor nenin 702 të Ligjit mbi Kontrollin e Zbulimit të Huaj për të bërë mbikëqyrje brenda vendit, duke përgjuar “gjerërisht e vazhdimisht” anëtarët e Kongresit dhe sponsorizuesit e fushatave zgjedhore, si edhe protestuesit kundër racizmit. Gjithnjë e më shumë shtete kanë publikuar urdhra ekzekutivë për ndalimin e përdorimit në shkollat publike të materialeve mësimore dhe librave që kanë të bëjnë me temat e posaçme, si raca, historia, gjinia, etj. Në shkollat e larta amerikane, numri i pedagogëve që janë ndëshkuar ose shkarkuar për shkak të shprehjes së mendimeve të tyre, ka shënuar rekord në 20 vjetët e fundit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Numri i viktimave nga dhuna policore mbetet i lartë dhe sistemi i mbajtjes së përgjegjësisë gjatë zbatimit të ligjit nga policia thuaje nuk ekziston. Gjatë vitit 2023, policia amerikanë vrau të paktën 1247 veta, mesatarisht tre veta në ditë.

Shërbimi i kontrollit të brendshëm të policisë përpiqet më shumë të shfajësojë kolegët sesa të hetojë veprimet e paligjshme, duke e bërë të vështirë që policia të mbajë përgjegjësi. Sipas bankës të të dhënave statistikore për humbjen e jetëve, pranë Qendrës së Parandalimit e Kontrollit të Sëmundjeve të ShBA-së, gjysma e rasteve të vrasjes nga policia u regjistruan gabimisht si "vrasje të zakonshme”ose "vetëvrasje".

ShBA-ja ka probleme serioze me burgosjet masive dhe punën e detyruar, duke u bërë një “vend burg” i vërtetë. Popullsia amerikane nuk zë as 5 % të popullsisë botërore, por numri i të burgosurve në ShBA është 25 % e totalit të përgjithshëm në botë. ShBA-ja po bëhet vendi me përqindjen më të lartë dhe me numrin më të madh të të burgosurve në botë. Këta të burgosur, që detyrohen të punojnë me pagë shumë të ulët, ose pa pagë e pa shpërblim, ofrojnë produkte e shërbime me vlerë prej disa miliarda dollarësh.

Lufta midis dy partive po acarohet vazhdimisht dhe manipulimi zgjedhor është bërë i shfrenuar. Në legjislaturën e 118-të të Kongresit amerikan u shfaqën dy farsa të “ndarjes” për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve. Efektiviteti i legjislacionit meriton të quhet më i ulëti pas Luftës Civile. Të dy partitë kanë manipuluar në forma të ndryshme rindarjen e zonave zgjedhore dhe kanë shtrembëruar shprehjen e vullnetit të popullit për interesat e veta. Në 16 shtete ekziston manipulim i dukshëm në ndarjen e zonave zgjedhore për Kongresin, dhe në 12 prej tyre ka manipulim serioz. Amerikanët janë shumë të zhgënjyer nga qeveria federale dhe organet e pushtetit të niveleve të ndryshme, si edhe nga politika në përgjithësi. 76 % e tyre mendojnë se ShBA-ja është në drejtimin e gabuar të zhvillimit.

Pakicat kombëtare përballen me racizmin sistematik, i cili ka një ndikim shumë të dëmshëm.  Afro-amerikanët kanë tre herë më shumë gjasa të vriten nga policia dhe 4.5 herë më shumë mundësi të arrestohen në krahasim me të bardhët. Gati 75 % e kinezo-amerikanëve kanë pësuar diskriminim racial vitin e kaluar dhe 55 % e tyre janë të shqetësuar për krimet e urrejtjes dhe ngacmimet që cenojnë sigurinë e tyre. Indianët vendas në ShBA jetojnë nën shtrëngesë kulturore dhe besimet fetare e zakonet e tyre tradicionale shtypen pa mëshirë. Ideologjia raciste e përhapur në ShBA ka ndikim edhe jashtë vendit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Pabarazia ekonomike e shoqërore po shtohet dhe shtresat e ulëta të shoqërisë jetojnë në vështirësi. ShBA-ja nuk ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave Ekonomike, Shoqërore e Kulturore. Si pasojë e sistemit që nxit shfrytëzimin e të varfërve, subvencionet ndaj të pasurve dhe ndarjen klasore, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve në ShBA ka arritur në nivelin më serioz pas Depresionit të Madh ekonomik në vitin 1929. “Të varfrit që punojnë” kanë rënë në varfëri strukturore, nuk gëzojnë raste të barabarta dhe as nuk mund të ngjiten në shtresën më të lartë. Numri i njerëzve të pastrehë është mbi 650 mijë, duke vendosur rekord të ri pas vitit 2007. Droga dhe abuzimi me ilaçet vazhdojnë të përhapen, kurse përqindja e vetëvrasjeve vijon të rritet.

ShBA-ja nuk e ka miratuar ende Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, dhe është gjithashtu i vetmi vend anëtar i OKB-së që nuk ka miratuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve. Në Kushtetutën e ShBA-së ende nuk ka dispozita për të parandaluar diskriminimin gjinor. ShBA-ja është vendi i vetëm në botë që dënon fëmijët me burgim të përjetshëm, pa mundësi lirimi me kusht. Në 20 vitet e fundit, numri i grave që kanë vdekur gjatë shtatzënisë ose lindjes së fëmijës është dyfishuar. Mbi 2.2 milionë gra amerikane s'mund të gëzojnë kujdesin obstetrik. Të paktën 21 shtete e ndalojnë ose e kufizojnë rreptësisht abortin. Çdo vit afro 54 mijë gra shtatzëna humbasin vendin e punës për shkak të diskriminimit. Miliona fëmijëve u është hequr e drejta për të përfituar nga sigurimet mjekësore. Çdo vit mijëra fëmijë të birësuar deklarohen të zhdukur. Sipas hetimeve, 46 shtete kanë fshehur 34 800 raste të zhdukjes së fëmijëve të birësuar.

Në kufi kriza humanitare vazhdon të përshkallëzohet. Gjendja e mjerueshme e emigrantëve është tronditëse. Kufiri jugor i ShBA-së është përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin si rruga më vdekjeprurëse e emigracionit. Gjatë 12 muajve, deri më 30 shtator të vitit 2023, vetëm në zonën El Paso 149 emigrantë humbën jetën. Në vitin 2023, numri i emigrantëve që u arrestuan ose u dëbuan në kufirin jugor të ShBA-së i kaloi 2.4 milionët, duke shënuar një rekord të ri historik. Emigrantët që kalojnë kufirin, pësojnë tortura ose trajtim çnjerëzor. Politikat kufitare përshkallëzojnë problemin e trafikimit të qenieve njerëzore duke nxitur zhvillimin e skllavërisë moderne. Fëmijët e emigrantëve u nënshtrohen punës së detyruar dhe shfrytëzimit.

ShBA-ja zbaton gjithmonë hegjemonizmin, unilateralizmin dhe politikën e forcës, duke krijuar kriza humanitare. Pas ngjarjeve të 11 shtatorit, në rajonet ku ShBA-ja zhvilloi luftën “antiterroriste”, numri i të vdekurve ka arritur në të paktën 4.5 deri 4.7 milionë. Ushtria amerikane nëpërmjet "Programit të agjentëve të huaj" ka shkelur sovranitetin dhe të drejtat e njeriut në më shumë se dhjetë vende të tjera. ShBA-ja ka ofruar vazhdimisht armë për zonat e konflikteve, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e shumë banorëve të thjeshtë. Burgu i Guantanamos që shkel seriozisht të drejtat e njeriut, ende funksionon. ShBA-ja zbaton prej kohësh numrin më të madh të sanksioneve të njëanshme në botë, duke shkaktuar pasoja serioze humanitare.

Problemet ekzistuese në ShBA jo vetëm e bëjnë atë një vend ku të drejtat e njeriut janë privilegj i vetëm pak njerëzve, por edhe kanë kërcënuar e penguar rëndë përparimin e shëndetshëm të kauzës botërore të të drejtave të njeriut.