Më shumë se 400 fosile të gjurmëve të dinosaurëve nga periudha e hershme e Kretakut janë zbuluar në prefekturën autonome Chuxiong Yi në provincën Yunnan të Kinës jugperëndimore, shkruan “Xinhua”.
Studiuesit thanë se fosilet u gjetën në malet në qytetin Konglongshan, në Lufeng.
Gjetja ka treguar se shtresat shkëmbore që përmbajnë gjurmët e dinosaurëve datojnë afërsisht 120 milionë vjet më parë, tha Wang Tao, kreu i Qendrës së Kërkimit dhe Mbrojtjes se Fosileve të Dinosaurëve në Lufeng.
Sipas tij, fosilet mund të klasifikohen në tre lloje: gjurmët e këmbëve me përmasa të mëdha që ngjajnë me ato të sauropodëve, të tilla si diplodokuset; gjurmët e këmbëve të ngjashme me ato të theropodëve, si tiranozaurët; dhe gjurmët e këmbëve me ndryshime të dukshme në formë në pjesën e përparme, që tregojnë se dinozaurët ecnin me gishtat e këmbëve që preknin tokën dhe ndoshta u përkisnin stegozaurëve ose ankilozaurëve.
Qyteti Konglongshan, emri i të cilit do të thotë “mal dinosauri”, është një zonë e përqendruar zbulimi për gjurmët e fosilizuara të dinosaurëve. Megjithatë, një zbulim i një shkalle dhe shumëllojshmërie të tillë është i paprecedentë, duke treguar praninë e gjerë të një popullate të larmishme dinosaurësh në zonën e Lufeng gjatë periudhës së hershme të Kretakut, sipas studiuesit.
Që nga viti 1938, mbi 120 fosile dinozaurësh janë gërmuar në Lufeng, por asnjë nga periudha e Kretakut nuk ishte zbuluar më parë.
Wang tha se gjurmët e dinosaurëve të sapozbuluara janë të një rëndësie të madhe për përpjekjet e ardhshme për të gjetur fosilet e dinosaurëve nga periudha e Kretakut në zonë. (Elona)