Ministri i Jashtëm i Kinës takon homologët e tij të Jemenit dhe Sudanit
2024-05-28 20:01:51

foto: MJK

foto: MJK

Të martën, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi zhvilloi takime të veçanta në Pekin me ministrin e Jashtëm të Jemenit Shayea Mohsen Al-Zindani dhe ministrin e Jashtëm të Sudanit Hussein Awad Ali, që gjenden në Kinë për të marrë pjesë në Konferencën e 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe. 

Gjatë takimit me Al-Zindanin, Wang theksoi se Kina mbështet me vendosmëri ruajtjen e sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe e vlerëson gjithmonë miqësinë tradicionale kino-jemenase. 

Situata e tensionuar në Detin e Kuq është një manifestim i dukshëm i përhapjes së konfliktit në Gazë, tha Wang, duke shtuar që Kina bën thirrje për ndalimin e vënies në shënjestër të anijeve civile dhe për ruajtjen e sigurisë së rrugëve ujore në Detin e Kuq. Kreu i diplomacisë kineze shprehu shpresën që të gjitha palët e përfshira në çështjen jemenase do t'i përmbahen drejtimit të përgjithshëm të zgjidhjes politike dhe do të vazhdojnë t'i zgjidhin konfliktet e dallimet mes tyre nëpërmjet dialogut dhe negociatave. 

Al-Zindani tha se Jemeni u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe i përmbahet parimit të "Një Kine". Ai shprehu besimin se Konferenca e 10-të Ministrore e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe do të nxitë ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve arabe në një nivel të ri. 

foto: MJK

foto: MJK

Ndërsa në takimin me Awad Ali, Wang Yi tha se Kina mbështet Sudanin në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial, në arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë së brendshme dhe në eksplorimin e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të veta kombëtare. Kina vlerëson mbështetjen dhe pjesëmarrjen aktive të Sudanit në zhvillimin e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe dhe është e gatshme të punojë me vendet arabe, përfshirë Sudanin, për të organizuar me sukses samitin e këtij viti të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe. 

Hussein Awad Ali u shpreh se Sudani i përmbahet parimit të "një Kine", i kushton rëndësi të madhe Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe dhe Forumit mbi Bashkëpunimin Kinë-Afrikë dhe është i gatshëm të thellojë bashkëpunimin praktik me Kinën në fusha të ndryshme në kuadër të këtyre dy forumeve të rëndësishme.