Kina regjistroi rënie të aksidenteve të mëdha rrugore pavarësisht bumit të automjeteve
2024-05-28 16:56:22

CFP

CFP

Ministria e Sigurisë Publike (MPS) njoftoi se Kina ka pasur një prirje rënëse për sa i përket aksidenteve të mëdha të trafikut rrugor gjatë pesë viteve të fundit, edhe pse numri i automjeteve në rrugë është rritur, raporton “Xinhua”.

Në një konferencë për shtyp u bë e ditur se në vitin 2023, Kina kishte regjistruar 436 aksidente rrugore të cilat kishin rezultuar në tre ose më shumë vdekje secila, një rënie prej 12 për qind kur krahasohet me numrin e aksidenteve të tilla të regjistruara në 2019.

Rrjeti rrugor i vendit ishte zgjeruar gjithashtu për të akomoduar volumin në rritje të trafikut, me kilometrazhin total që arrin në 5.44 milionë kilometra deri në fund të vitit 2023, duke përfshirë 184.000 kilometra rrugë ekspres.

Që nga viti 2019, ministria ka zbatuar mbi 70 masa reformuese të menaxhimit të trafikut për të përmirësuar shërbimet dhe për të ofruar komoditet për publikun, duke përfituar më shumë se 800 milionë njerëz dhe duke kursyer më shumë se 70 miliardë juanë (9.85 miliardë dollarë amerikanë) në kosto.

Ndër këto masa, ishte lançimi i një aplikacioni celular, duke ofruar 35 shërbime të menaxhimit të trafikut për mbi 540 milionë përdorues, ndërsa një sistem i bazuar në video për përpunimin e shpejtë të aksidenteve të vogla trafiku është pilotuar në 250 qytete kineze.

Gjithashtu, sipas ministrisë, janë futur tre masa për të lehtësuar shërbimet e lejeve të drejtimit për shtetasit kinezë jashtë vendit. (Fatosi)