Presidenti francez: Europa është në një moment vendimtar
2024-05-28 16:10:37

Presidenti francez ne Gjermani (Foto CNA.al)

Presidenti francez ne Gjermani (Foto CNA.al)

Presidenti francez, Emmanuel Macron, përshëndeti partneritetin e krijuar prej kohësh mes Francës dhe Gjermanisë, ndërsa po zhvillon një vizitë triditore në Berlin, shkruan “RTSH”.

Vizita shtetërore e Macron në Gjermani, e para e një presidenti francez në 24 vjet, vjen pasi dy fuqitë kryesore evropiane janë përballur me një sërë dilemash.

Macron tha se Evropa është në një moment vendimtar, duke përmendur konfliktin ruso-ukrainas dhe sfidat në lidhje me ndryshimet klimaterike dhe inteligjencën artificiale.

Sipas tij, për të adresuar këto çështje nevojitet një nxitje franko-gjermane.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, në Pallatin Bellevue në Berlin, Macron tha se marrëdhënia midis Gjermanisë dhe Francës ishte si një çift i gjallë, kërkues dhe ambicioz.

Steinmeier përshëndeti Macron dhe e quajti vizitën e tij provë të thellësisë së miqësisë franko-gjermane.

Ai tha se pavarësisht se ndonjëherë kanë dallime në pikat individuale të politikës, të dy vendet gjithmonë mbërrijnë në një marrëveshje në fund.

Macron hodhi poshtë sugjerimin se marrëdhënia, e përshkruar shpesh si motori i politikëbërjes evropiane, po dobësohej.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne po ecim përpara. Marrëdhëniet franko-gjermane janë të domosdoshme dhe të rëndësishme për Evropën” theksoi Macron. (Fatosi)