Kryeministri palestinez Mustafa në Itali (Foto ATSH)
Italia deklaroi se do të rifillojë financimin për Agjencinë Palestineze të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNRWA) ndërsa kryeministri palestinez Mohammed Mustafa viziton Romën, njofton ATSH.
“Italia ka vendosur të rifillojë financimin e projekteve specifike që synojnë të ndihmojnë refugjatët palestinezë, por vetëm pas kontrolleve rigoroze që garantojnë se asnjë cent nuk rrezikon të përfundojë në mbështetje të terrorizmit”, theksoi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.
Mustafa u takua me Tajanin dhe më pas kryeministrin italian Giorgia Meloni në atë që ishte udhëtimi i tij i parë në Evropë që kur u emërua nga presidenti palestinez Mahmud Abbas në mars. Tajani informoi kryeministrin Mustafa se "Roma kishte akorduar financime të reja për popullsinë palestineze, për një total prej 35 milionë euro”.
Pesë milionë do t’i ndahen UNRWA-s, ndërsa 30 milionë euro do t’i ndahen nismës italiane “Ushqimi për Gazën” në koordinim me agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara. UNRWA, e cila koordinon pothuajse të gjithë ndihmën për Gazën, ka qenë në krizë që nga janari, kur Izraeli akuzoi se disa antarë të stafit të saj në Gaza u përfshinë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Kjo bëri që shumë vende, përfshirë donatorin më të madh, Shtetet e Bashkuara, të pezullonin papritur fondet për agjencinë, duke kërcënuar përpjekjet e saj për të ofruar ndihmë për Gazën, megjithëse shumë prej tyre kanë rifilluar që atëherë pagesat. (Fatosi)