Njësia e re e energjisë bërthamore nis operimet në Kinën jugore
2024-05-26 11:15:37

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një njësi e re e energjisë bërthamore që përdor “Hualong One”, një reaktor bërthamor i gjeneratës së tretë i projektuar në Kinë, ka filluar prodhimin e energjisë në qytetin portual të Kinës jugore të Fangchenggang, duke hapur rrugën për operacionet e ardhshme tregtare, shkruan “Xinhua”.

“Guangxi Fangchenggang Nuclear Power Co., Ltd.”, e lidhur me Korporatën e Përgjithshme të Energjisë Bërthamore të Kinës, njoftoi se njësia nr. 4 në stacionin e energjisë bërthamore Fangchenggang përfundoi me sukses funksionimin e saj të provës 168-orëshe të shtunën.

“Funksionimi i njësisë nr. 4 verifikoi më tej sigurinë, pjekurinë dhe natyrën e përparuar të teknologjisë “Hualong One””,- deklaroi Cai Zhen, drejtor i “Guangxi Fangchenggang Nuclear Power Co., Ltd.”, në Rajonin Autonom Guangxi Zhuang të Kinës jugore.

Projekti i energjisë bërthamore Fangchenggang planifikon të ketë gjashtë njësi të energjisë bërthamore në total. Dy njësitë e para u bënë funksionale në vitin 2016, ndërsa njësia e tretë filloi funksionimin vitin e kaluar. Ndërtimi i njësisë nr. 4 ka filluar më 23 dhjetor 2016. Njësitë nr.3 dhe numër 4, të dyja duke përdorur “Hualong One”, pritet të plotësojnë nevojat për energji elektrike të rreth 2 milionë njerëzve në vit, ndërkohë që reduktojnë konsumin e qymyrit standard me mbi 5.4 milionë tonë dhe reduktojnë emetimet e dyoksidit të karbonit me rreth 14.83 milionë tonë për vit.

Ekspertët besojnë se projekti luan një rol kritik në promovimin e tranzicionit të energjisë së gjelbër të Guangxi dhe synimeve të dyfishta të karbonit të Kinës. Sipas indeksit gjithëpërfshirës të Shoqatës Botërore të Operatorëve Bërthamorë (WANO), performanca e sigurisë së operimit të energjisë bërthamore të Kinës është renditur vazhdimisht ndër më të mirat në botë për disa vite.

Në 2022 dhe 2023, respektivisht 37 dhe 33 njësi të energjisë bërthamore arritën rezultatin maksimal në indeksin gjithëpërfshirës të WANO-s. (Irma)