Ministria e Tregtisë: Numri i firmave të reja me investime të huaja në Kinë vazhdon të rritet
2024-05-26 12:24:15

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Numri i ndërmarrjeve të sapokrijuara me investime të huaja në Kinë u rrit me 19.2 për qind në baza vjetore në katër muajt e parë të vitit, duke ruajtur vrullin e rritjes, treguan të dhënat nga Ministria e Tregtisë, cituar nga “Xinhua”.

Sipas ministrisë, 16.805 sipërmarrje me investime të huaja u krijuan në mbarë vendin gjatë periudhës janar-prill.

Investimet e huaja direkte (IHD) arritën në 360.2 miliardë juanë (rreth 50.66 miliardë dollarë amerikanë), një rënie prej 27.9 për qind nga një vit më parë. Rënia vjetore e tyre i atribuohet kryesisht një baze të lartë vitin e kaluar, thuhet në deklaratën e ministrisë, ku theksohet se rritja e ndërmarrjeve të sapokrijuara të financuara nga jashtë sinjalizon se mund të priten më shumë investime në të ardhmen.

“Tendenca themelore e rimëkëmbjes ekonomike të Kinës dhe perspektiva pozitive afatgjatë nuk ka ndryshuar dhe tërheqja e tregut kinez për investitorët e huaj ka vazhduar të forcohet”,- bëri të ditur ministria.

Në sektorë të veçantë, IHD-të në industrinë e prodhimit ishin rreth 103.7 miliardë juanë gjatë kësaj periudhe, duke zënë 28.8 për qind të totalit të IHD-ve. Në veçanti, prodhimi i teknologjisë së lartë tërhoqi 45.73 miliardë juanë, me peshën e tyre në totalin e IHD-ve duke u ngritur me 2.7 pikë përqindje nga një vit më parë në 12.7 për qind.

Investimet nga Spanja, Gjermania dhe Holanda u rritën përkatësisht me 263 për qind, 34.7 për qind dhe 9.5 për qind, sipas të dhënave.

Raporti i Indeksit të Besimit të “Kearney” për IHD-të, për vitin 2024, i publikuar së fundmi, tregon se Kina u ngjit nga pozicioni i shtatë në të tretën dhe ruajti vendin e parë midis tregjeve në zhvillim. (Irma)