Izraeli urdhëron ekipin negociator të rifillojë bisedimet për armëpushim në Gaza
2024-05-25 12:18:53

Gaza (Foto Atsh)

Qeveria izraelite ka urdhëruar delegacionin negociues që të vazhdojë bisedimet për sigurimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe për arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit “KAN”, kabineti i luftës ka mbajtur një mbledhje që ka zgjatur rreth pesë orë. Në takim, kabineti i luftës urdhëroi ekipin që të vazhdojë negociatat për sigurimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe rikthimin e pengjeve izraelite, shkruan “ATSH”.

Vendimi, detajet e të cilit nuk u zbuluan dhe për të cilin thuhet se u mor me konsensusin e anëtarëve të kabinetit, përfshin udhëzime për dakordim me Hamasin për pikat e mosmarrëveshjes dhe këmbënguljen e Izraelit për shumë çështje.

Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, më 6 maj njoftoi Katarin dhe Egjiptin se ka miratuar propozimet e tyre për armëpushim në Rripin e Gazës.

Pasi Hamasi njoftoi se ka miratuar propozimet për armëpushim të dërguara nga Katari dhe Egjipti, kabineti izraelit i luftës vendosi të vazhdojë sulmet në Rafah.

Ushtria izraelite në një deklaratë më 6 maj kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të Rafahut, ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur, ndërsa mëngjesin e 7 majit ushtria izraelite filloi ofensivë tokësore në Rafah të Gazës dhe njoftoi se ka marrë nën kontroll pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës. (Irma)