Mianmar (Foto Atsh)
Kombet e Bashkuara bënë të ditur se mbi 45.000 persona janë drejtuar për nga kufiri me Bangladeshin, pas përshkallëzimit të dhunës në Mianmar, shkruan “ATSH”.
Kreu i Ekipit të Mianmarit të Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, James Rodehaver, tha se qyteti i Buthidaung, në shtetin Rakhine të shkatërruar nga konflikti, është djegur plotësisht gjatë javës së kaluar.
“Nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për shkatërrimin në Buthidaung”,- tha ai, gjatë një bisede me gazetarët në Gjenevë përmes lidhjes me video.
Rodehaver tha se Ushtria Arakan, një grup rebel etnik, ishte përgjegjës për të paktën katër vrasje.
Zyra e të Drejtave të Njeriut të OKB-së i bëri thirrje Bangladeshit t’u japë mbrojtje refugjatëve nëse ata e kërkojnë atë.
OKB-ja u kërkoi gjithashtu vendeve të tjera të mbështesin financiarisht Bangladeshin.
Më shumë se 1 milion civilë, myslimanët Rohingya, janë larguar në Bangladesh gjatë valëve të mëparshme të dhunës.
Vetëm rreth 600.000 civilë Rohingya besohet se jetojnë ende në Mianmar. (Irma)