Presidenti rus (Foto Panorama)
Në një lëvizje reciproke, presidenti Vladimir Putin, nënshkroi një dekret që i mundëson Rusisë të përdorë asetet, letrat me vlerë dhe pronat që i përkasin Shteteve të Bashkuara apo shtetasve amerikanë, që gjenden në Rusi, shkruan “Panorama”.
Këto asete, sipas dekretit, do të përdoren për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga konfiskimi i pronave të pasanikëve rusë dhe Bankës Qendrore ruse në SHBA.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi një ligj që i mundëson SHBA-së të konfiskojë rreth 5 miliardë dollarë asete ruse në vend. Edhe Bashkimi Europian ka miratuar një vendim që i mundëson bllokut të përdorë asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse, që gjenden në BE.
Brukseli zyrtar ka bërë të ditur se përfitimet nga këto asete do të përdoren për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës.
Rreth 210 miliardë euro në asete që i përkasin Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë nga BE-ja. Kjo shumë vlerësohet se gjeneron një interes prej rreth 3 miliardë eurosh në vit. (Irma)