Kina: Stërvitjet e Ushtrisë Çlirimtare Popullore, një ndëshkim i fortë për aktet separatiste të forcave të "pavarësisë së Tajvanit"
2024-05-24 15:16:04

Foto nga VCG

Ministria e Jashtme tha të enjten se stërvitjet e kryera nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës rreth ishullit të Tajvanit, shërbejnë si një ndëshkim i fortë për aktet separatiste të forcave të "pavarësisë së Tajvanit" dhe një paralajmërim i ashpër kundër ndërhyrjes dhe provokimit nga forcat e jashtme.

Zëdhënësi i ministrisë, Wang Wenbin, i cili i bëri komentet në një konferencë të rregullt në përgjigje të stërvitjeve, i quajti ato "të nevojshme dhe legjitime", në përputhje me praktikat dhe ligjet zakonore ndërkombëtare.

Wang theksoi se Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Ky është një fakt historik që nuk do të ndryshojë kurrë, ndaj "pavarësia e Tajvanit" është një rrugë pa krye.

Zëdhënësi u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë inkurajimin dhe mbështetjen e forcave të "pavarësisë së Tajvanit" dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës.

Çdo akt që rrezikon sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës, do të përballet me një përgjigje të vendosur nga pala kineze, paralajmëroi ai.

Komanda e Zonës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore filloi stërvitjen e përbashkët ushtarake të enjten në mëngjes në ngushticat e Tajvanit, në veri, jug dhe lindje të ishullit, si dhe zonat rreth ishujve Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin, sipas komandës së zonës.

Stërvitja, me emrin e koduar “Joint Sword-2024A”, me pjesëmarrjen e shërbimeve të ndryshme ushtarake, përfshirë ushtrinë, marinën, forcat ajrore dhe forcat raketore të komandës së zonës, po zhvillohet nga e enjtja deri të premten. (Çang Çuo)