MJK: Vendimi për mospranimin e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë, mbështetje të gjerë nga bashkësia ndërkombëtare
2024-05-24 21:20:02

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, tha të premten në një konferencë shtypi se, për të mbrojtur parimin e "një Kine" dhe për të ruajtur seriozitetin dhe autoritetin e rezolutave përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, Kina ka vendosur të mos pranojë pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë sivjet. Ky vendim ka gjetur mbështetje e mirëkuptim të gjerë nga bashkësia ndërkombëtare.

foto: VCG

foto: VCG

Sipas raporteve, Asambleja e 77-të Botërore e Shëndetësisë do të hapet më 27 maj dhe shumë vende kanë shprehur mbështetjen e tyre për qëndrimin e Kinës në lidhje me çështjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë.

Në përgjigje të një pyetjeje, Wang tha se qëndrimi i Kinës mbi pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë aktivitetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është i qartë dhe i qëndrueshëm: kjo çështje duhet të trajtohet në përputhje me parimin e “një Kine”, i cili është parimi themelor i konfirmuar nga Rezoluta 2758 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Rezoluta 25.1 e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë. Nga viti 2009 deri më 2016, në bazë të respektimit të këtij parimi nga të dy anët e ngushticës së Tajvanit, Kina bëri rregullime të veçanta për pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë për tetë vjet rresht. Që nga viti 2016, kur Partia Demokratike Progresive (DPP) mori pushtetin, ajo ka refuzuar të pranojë Konsensusin e 1992-shit, që pasqyron parimin e “një Kine”, dhe ka këmbëngulur për "pavarësinë e Tajvanit". Bazat politike për pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë nuk ekzistojnë më.

foto: VCG

foto: VCG

"Për një kohë të gjatë, shumica dërrmuese e vendeve të bashkësisë ndërkombëtare kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kanë përkrahur fuqimisht parimin e ‘një Kine’ dhe kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë. Më shumë se njëqind vende kanë shprehur mbështetjen e tyre për qëndrimin e Kinës nëpërmjet letrave drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ose në mënyra të tjera. Kjo tregon edhe një herë se parimi i ‘një Kine’ ka mbështetje të gjerë dhe është një prirje e pashmangshme në bashkësinë ndërkombëtare, duke reflektuar plotësisht qëndrimin e drejtë të shumicës së vendeve për çështjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë. Situata themelore e përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj parimit të ‘një Kine’ është e patundur. Çdo përpjekje për të promovuar 'pavarësinë e Tajvanit', për të manipuluar politikisht çështjen e Tajvanit dhe për të shkelur parimin e ‘një Kine’, do të dështojë," theksoi zëdhënësi.