BE: Asetet e ngrira ruse do të përdoren për ndihmën ushtarake në Ukrainë
2024-05-23 17:51:09

Flamuri i BE-se (Foto Panorama)

Flamuri i BE-se (Foto Panorama)

Ministrat e BE-së dhanë miratimin përfundimtar për të përdorur të ardhurat e aseteve ruse të ngrira në Bashkimin Europian për të ndihmuar Ukrainën, njoftoi qeveria belge. “Ministrat e BE-së ranë dakord të përdorin fitimet nga asetet e pamobilizuara të Rusisë për të mbështetur mbrojtjen ushtarake dhe rindërtimin e Ukrainës në kontekstin e agresionit rus”,- bëri të ditur qeveria belge në një postim në “X”, citon “ATSH”.

Marrëveshja ka të bëjë me përdorimin e interesit dhe fitimeve të tjera nga aktivet, por jo aktivet bazë, të cilat do të mbeten të ngrira.

Kjo masë do të sigurojë një ndihmë me vlerë deri në 3 miliardë euro (3.23 miliardë dollarë) vetëm këtë vit.

Sipas Komisionit Europian, rreth 210 miliardë euro asete të Bankës Qendrore Ruse janë ngrirë në BE.

Institucioni financiar me qendër në Bruksel, “Euroclear”, i cili zotëron pjesën më të madhe të aseteve, njoftoi së fundmi se interesi nga asetet kishte arritur në rreth 4.4 miliardë euro në vitin 2023.

Një total prej 90% të parave do të financojë ndihmën ushtarake, ndërsa 10% do të shkojë për ndihmën financiare për Ukrainën. (Elona)