MJK: Nëse ShBA-ja vepron me kokëfortësi mbi çështjen e Tajvanit, do të mbajë përgjegjësinë për pasojat
2024-05-23 21:00:23

Sipas raporteve, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Michael McCaul, ka deklaruar së fundmi se ai do të kryesojë një delegacion për të vizituar Tajvanin në fund të majit për të uruar "udhëheqësin" e ri të Tajvanit për marrjen e detyrës. Në përgjigje të këtij njoftimi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, vuri në dukje të enjten në një konferencë për shtypin që, nëse pala amerikane vepron me kokëfortësi, ajo do të mbajë plotësisht përgjegjësinë për pasojat.

foto: VCG

foto: VCG

Wang Wenbin theksoi se Kina kundërshton me vendosmëri shkëmbimet zyrtare të çfarëdo forme midis ShBA-së e Tajvanit dhe çdo ndërhyrje të ShBA-së në çështjet e Tajvanit në çfarëdo mënyre dhe me çfarëdo preteksti.

"Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së është pjesë e qeverisë amerikane dhe duhet të respektojë politikën e 'një Kine' të ndjekur nga ShBA-ja. Nëse anëtarët e Kongresit të ShBA-së vizitojnë Tajvanin, kjo do të shkelë rëndë parimin e 'një Kine' dhe tre komunikatat e përbashkëta midis Kinës dhe ShBA-së, do të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës, do të dëmtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe do t'u japë një sinjal të gabuar forcave separatiste të 'pavarësisë së Tajvanit'. Kina i kërkon palës amerikane që të respektojë parimin e  'një Kine' dhe tre komunikatat e përbashkëta midis Kinës dhe ShBA-së, të mos lejojë asnjë anëtar të Kongresit të vizitojë Tajvanin, të ndalojë të gjitha shkëmbimet zyrtare midis ShBA-së e Tajvanit dhe të ndalojë krijimin e faktorëve që përkeqësojnë situatën në ngushticën e Tajvanit, duke përmbushur angazhimin e saj për të mbajtur vetëm marrëdhënie kulturore, tregtare e jozyrtare me rajonin e Tajvanit dhe për të mos mbështetur 'pavarësinë e Tajvanit',"  tha zëdhënësi. (Li Huailiang/Artan)