Kryeministri britanik: Urdhërarrestet për liderët izraelitë dhe të Hamasit, të panevojshme
2024-05-23 14:35:02

Foto nga VCG

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, deklaroi se thirrja për urdhërarreste për liderët izraelitë dhe të Hamasit është thellësisht e panevojshme dhe nuk do të bëjë asnjë ndryshim në marrjen e ndihmës për Gazën dhe arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm, shkruan “ATSH”.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, tha se ai po kërkon urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe udhëheqësit e lartë të Hamasit, Yehya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh.

Sunak e quajti lëvizjen një zhvillim thellësisht të panevojshëm, pasi ai këmbënguli se nuk kishte ekuivalencë morale midis Hamasit dhe qeverisë izraelite.

Sipas kreut të GJNP-së, liderët ishin përgjegjës për krimet e luftës në Gaza dhe Izrael.

“Ky është një zhvillim thellësisht i panevojshëm. Sigurisht që është ende subjekt i një vendimi përfundimtar, por është ende thellësisht i padobishëm”,- theksoi Sunak. (Elona)