Studimi britanik: Ndryshimet klimaterike përkeqësojnë sëmundjet e trurit
2024-05-22 16:26:30

I nxehti (Foto Shqip.com)

I nxehti (Foto Shqip.com)

Ndryshimet klimaterike po përkeqësojnë situatën shëndetësore të atyre që vuajnë nga sëmundje neurologjike dhe psikiatrike, sipas një studimi të “University College London”, i cili mori në konsideratë një literaturë të gjerë mbi klimën dhe sëmundjet e trurit gjatë 55 viteve të fundit, shkruan “ATSH”.

Pas rishikimit të 332 artikujve shkencorë të botuar në mbarë botën, midis viteve 1968 dhe 2023, shkencëtarët kanë vërtetuar se efektet e mundshme të krizës klimaterike te patologjitë që prekin trurin, si ato të sistemit nervor ashtu edhe të kushteve psikiatrike, po shfaqen në mënyrë thelbësore.

Në veçanti, disa sëmundje neurologjike, si goditjet në tru dhe infeksionet e sistemit nervor, do të përkeqësoheshin qartë nga ekstremet e temperaturës të lidhura me ndryshimin e klimës, veçanërisht nga ndryshimet e mëdha të temperaturës brenda së njëjtës ditë.

Pranimet në spitale dhe vdekshmëria për shkak të goditjes në tru janë më të larta në zonat e prekura nga valët e të nxehtit dhe temperaturat tepër të larta.

Netët shumë të nxehta përkeqësojnë edhe ndikimin e sëmundjeve neurologjike, sepse shqetësojnë gjumin, një faktor themelor mbrojtës për trurin.

Te njerëzit me probleme psikologjike, temperaturat ekstreme dhe ngjarjet ekstreme klimaterike përfaqësojnë situata rreziku, sepse ato imponojnë mekanizma që nuk janë gjithmonë të realizueshme në një nivel praktik dhe konjitiv.

Ky disavantazh përkeqësohet nga kushtet që lidhen me demencën, si dobësia, prania e sëmundjeve të tjera dhe përdorimi i barnave që ndikojnë në funksionet mendore. Prandaj nuk është për t’u habitur që shtrimet në spital dhe vdekshmëria tek ata me forma të demencës përkeqësohen në kushtet e ndryshimeve ekstreme të temperaturës.

Siç është theksua në studimet e mëparshme, kriza klimaterike ka një ndikim negativ edhe tek ata që vuajnë nga kushte të zakonshme psikiatrike, si ankthi, depresioni dhe skizofrenia. (Elona)