Fu Cong, i dërguari i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, theksoi të martën se eliminimi i konflikteve të armatosura është mbrojtja më e mirë për civilët.
"Gjatë disa muajve të armiqësive në Gazë janë shkaktuar viktima civile në një shkallë si kurrë më parë dhe një katastrofë humanitare. Ndërsa flasim, miliona njerëz që janë mbledhur në Rafah për të kërkuar strehim, janë në prag të vdekjes," tha Fu.
foto: VCG
Sipas tij, Këshilli i Sigurimit duhet të mundësojë urgjentisht një armëpushim të menjëhershëm e të plotë në Gazë dhe t'i kërkojë Izraelit që të ndalojë menjëherë "ndëshkimin kolektiv" të popullit palestinez dhe sulmet ushtarake në Rafah.
Duke theksuar se ligji ndërkombëtar humanitar është vija e kuqe që duhet respektuar nga të gjithë, Fu u shpreh se civilët dhe infrastruktura civile nuk duhet të jenë objektiv i operacioneve ushtarake.
Ndihma humanitare nuk duhet të politizohet dhe sendet bazë si ushqimi e ilaçet nuk duhet të përdoren si armë, shtoi ai, duke i kërkuar Këshillit që të vazhdojë të mbështesë e të sigurojë zbatimin universal dhe të qëndrueshëm të ligjit humanitar ndërkombëtar. (Li Huailiang/Artan)