MJK: ShBA-ja përpiqet t'i detyrojë anëtarët e G7-s të vendosin kufizime ndaj produkteve kineze të energjisë së re
2024-05-22 20:53:26

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të mërkurën në një konferencë shtypi se ShBA-ja, në emër të "mbikapacitetit", po përpiqet t'i detyrojë anëtarët e G7-s për të vendosur kufizime ndaj produkteve kineze të energjisë së re. Kjo synon të krijojë një "aleancë proteksioniste", e cila është në kundërshtim me prirjen e kohës për hapje e përfitime të ndërsjella. Një gjë e tillë do të dëmtojë jo vetëm mirëqenien e konsumatorëve të vendeve përkatëse, por gjithashtu do të ndërhyjë dhe dëmtojë tranzicionin global drejt energjisë së gjelbër.

foto: VCG

foto: VCG

Sipas raporteve, sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen tha të martën se kapaciteti prodhues i Kinës në fushat e automjeteve elektrike, baterive dhe paneleve fotovaltaike e tejkalon kërkesën globale. Ajo u bëri thirrje ShBA-së dhe vendeve evropiane që të përballen së bashku me  këtë çështje. Takimi i ministrave të financave të G7-s këtë muaj do të fokusohet në këtë temë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse, Wang Wenbin theksoi se zhvillimi i industrisë kineze të energjisë së re është rezultat i grumbullimit afatgjatë të teknologjisë dhe konkurrencës së hapur nga kompanitë, dhe jo nga subvencionet industriale. Kjo është plotësisht në përputhje me rregullat e ekonomisë së tregut dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Kapaciteti prodhues i energjisë së re në Kinë është një kapacitet i përparuar i domosdoshëm për tranzicionin e gjelbër të ekonomisë globale dhe jo mbikapacitet.

Zëdhënësi theksoi se Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin në zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit të energjisë së re me vendet e tjera, për të promovuar inovacionin teknologjik dhe zhvillimin industrial. Ai shprehu shpresën që të gjitha vendet do të ndjekin rrugën e bashkëpunimit të hapur e do të kundërshtojnë proteksionizmin, duke krijuar përfitime të ndërsjella e duke shmangur "humbjet e shumëfishta". (Li Huailiang/Artan)