Studimi zbulon ndotësit e mundshëm të ajrit të pranishëm në palestra
2024-05-22 16:15:28

CFP

Njerëzit i frekuentojnë palestrat për të ruajtur nivelet e tyre të fitnesit, por ç’mund të thuhet për cilësinë e ajrit që thithin në këto hapësira të mbyllura? Studiuesit kinezë së fundmi janë thelluar në këtë pyetje përmes një studimi.

I udhëhequr nga Sun Yele, profesor nga Instituti i Fizikës Atmosferike nën Akademinë Kineze të Shkencave, një ekip kërkimor ekzaminoi përbërjen dhe përqendrimin e ndotësve brenda një palestre të mbyllur. Gjetjet e tyre, të publikuara në revistën “Environmental Science & Technology Letters”, hedhin dritë mbi cilësinë e ajrit të ambienteve të brendshme të fitnesit.

“Për 20 ditë me radhë, ne analizuam me përpikëri ajrin duke përdorur një spektrometër masiv aerosol me rezolucion të lartë”,- shpjegoi Sun.

Studimi zbuloi se ajri i brendshëm brenda palestrës shfaqi një përqindje më të lartë të aerosoleve organike krahasuar me mjedisin e jashtëm, shkruan “Xinhua”.

“Gati 50 për qind e grimcave të thithura brenda palestrës përmbanin aerosole organike, një rritje e dukshme nga rreth 40 për qind krahasuar me jashtë”,- tha Sun.

Dy lloje të dallueshme të aerosoleve organike u identifikuan brenda atmosferës së palestrës. E para, aerosolet organike siloksane (SiOA), u dalluan për shkak të përqendrimeve të larta të papritura, duke përbërë 7 deri në 11 për qind të totalit të aerosoleve organike të pranishëm.

Sun ia atribuoi praninë e SiOA lubrifikantit polimer silikoni të përdorur në pajisjet e fitnesit gjatë stërvitjes. Për më tepër, studiuesit zbuluan aerosole organike të tymit të cigares brenda palestrës, të cilat ka të ngjarë të hyjnë në mjedisin e brendshëm nga hapësirat ngjitur, siç është një parking aty pranë.

Gjithashtu u zbulua se aerosolet organike prej gatimit në mensën pranë kontribuonin në cilësinë e ajrit të brendshëm në palestër.

“Sistemi i ventilimit të palestrës mund të tërheqë pa dashje ndotës nga burime të jashtme. Ndërsa studimi ynë përfaqëson një rast të vetëm, ai nënvizon ndjeshmërinë e palestrave ndaj burimeve përreth emetimeve”,- tha Sun.

Sipas tij, të kuptuarit e përbërjes dhe përqendrimit të ndotësve në mjedisin e palestrës është thelbësore për vlerësimin e rreziqeve të mundshme shëndetësore që lidhen me ushtrimet fizike.

“Gjatë stërvitjes, ritmet e rritura të frymëmarrjes rrisin thithjen e këtyre grimcave, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në shëndetin tonë”,- tha Sun. Hulumtime të tilla janë thelbësore në hartimin e strategjive efektive për të mbrojtur cilësinë e ajrit të brendshëm dhe për të zbutur rreziqet shëndetësore që lidhen me frekuentimin e palestrës.

“Ne synojmë të zgjerojmë kërkimin tonë duke kryer studime të rasteve nëpër palestra të shumta për të vërtetuar universalitetin e grimcave të ndotjes të identifikuara në këtë studim”,- tha Sun.

Ai shprehu gjithashtu optimizëm për përmirësimet e ardhshme në instrumente, duke parashikuar monitorimin në kohë reale në internet të përbërjes molekulare të aerosoleve organike të brendshme dhe përbërjeve organike të paqëndrueshme për njohuri të zgjeruara në dinamikën e cilësisë së ajrit. (Elona)