Shkencëtarët bëjnë thirrje të merren masa urgjentisht ndaj rreziqeve nga inteligjenca artificiale
2024-05-22 12:11:09

Foto nga VCG

Veprim më të fortë dhe angazhim ndaj rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale kanë kërkuar ekspertët e fushës nga liderët botërorë, në Samitin e dytë për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale që zhvillohet në Seul, duke i rënë kambanës së alarmit.

Ata bënë thirrje që të ndërmerren veprime më të forta për rreziqet e saj, ndërsa vënë në dukje se progresi ka qenë i pamjaftueshëm që nga samiti i parë i mbajtur gjashtë muaj më parë, shkruan “RTSH”.

Në një artikull të botuar në revistën “Science”, 25 shkencëtarë nga SHBA-ja, BE-ja, Britania dhe Kina thonë se në fakt nuk është bërë mjaftueshëm për të na mbrojtur nga rreziqet e teknologjisë.

Siç theksojnë ata, është e domosdoshme që liderët botërorë të marrin seriozisht mundësinë që brenda dekadës aktuale ose të ardhshme, mund të zhvillohen sisteme jashtëzakonisht të fuqishme të inteligjencës artificiale të përgjithshme, duke tejkaluar aftësitë njerëzore në shumë fusha kritike.

Në të njëjtën kohë, edhe pse qeveritë në mbarë botën kanë bërë disa përpjekje për të prezantuar udhëzimet fillestare, lëvizjet e tyre nuk janë në përputhje me potencialin për përparim të shpejtë që presin shumë ekspertë.

Sipas tyre, mungon kërkimi aktual i sigurisë së inteligjencës artificiale, me vetëm 1-3% të publikimeve që trajtojnë sigurinë. Ata theksojnë se as mekanizmat dhe as institucionet nuk ekzistojnë për të parandaluar keqpërdorimin e teknologjisë.

Shkencëtarët po u bëjnë thirrje qeverive të krijojnë organe ekspertësh për të mbikëqyrur inteligjencën artificiale, me shumë më tepër fonde sesa parashikohej. (Elona)