Kina hap projektin më të madh diellor në det të hapur
2024-05-21 10:01:45

Foto nga Chinanews.com

Filloi zyrtarisht të dielën ndërtimi në termocentralin fotovoltaik në det të hapur 200 megavat në qytetin Lianyungang, në provincën Jiangsu të Kinës lindore, shkruan “CGTN”.

Projekti, më i madhi i këtij lloji në Kinë, pritet të kursejë afërsisht 680.000 tonë ekuivalent qymyri çdo vit dhe të reduktojë emetimet e dyoksidit të karbonit me 1.77 milionë tonë.

Projekti ndodhet pranë termocentralit bërthamor Tianwan. Ai ndahet në dy pjesë, në tokë dhe në det.

Pjesa në det përbëhet nga mbi 3.3 milionë module fotovoltaike që formojnë 480 vargje. Ndërsa pjesa në tokë është një ruajtje energjie 400 megavat-orë.

Një kompani nën Korporatën Kombëtare Bërthamore të Kinës (CNNC) pritet të menaxhojë termocentralin, pjesa tokësore e të cilit do të përfundojë deri në fund të qershorit.

Ky projekt i ri fotovoltaik, i kombinuar me centralin bërthamor, do të formojë një bazë gjithëpërfshirëse të energjisë në shkallë të gjerë me një kapacitet total të instaluar prej mbi 10 gigavat.

Projekti pritet të vendoset si shembull i një baze të integruar të energjisë së pastër bërthamore-fotovoltaike. (Fatosi)