Kryediplomatët e Kinës dhe Kirgizistanit takohen në Astana
2024-05-21 20:50:53

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të hënën me homologun e tij kirgizistanas Jeenbek Kulubaev, në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit, ku të dy kryediplomatët ndodheshin për të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh).

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Kreu i diplomacisë kineze u bëri thirrje Kinës dhe Kirgizistanit që të përqendrohen në formimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët Kinë-Kirgizistan, të thellojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të zgjerojnë bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, duke pasur në fokus kryesor bashkëpunimin me cilësi të lartë për nismën “Një brez, një rrugë”.

Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Kirgizistanin, të zgjerojë ndërlidhshmërinë, të promovojë shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe të krijojë një bashkësi me të ardhme të përbashktë Kinë-Kirgizistan me veprime konkrete, tha Wang.

Ministri i Jashtëm kinez shprehu gjithashtu vlerësimin për mbështetjen e palës kirgizistanase menjëherë pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve për liderët e rajonit të Tajvanit.

Nga ana e tij, Kulubaev tha se Kirgizistani i përmbahet me vendosmëri parimit të “Një Kine” dhe mbështet fuqishëm palën kineze në çështjet që kanë lidhje me Xinjiang-un, Xizang-un dhe Hong-Kongun.

Kirgizistani është i gatshëm të intensifikojë shkëmbimet e nivelit të lartë me Kinën, të rrisë vëllimin e tregtisë dypalëshe, të lehtësojë shkëmbimet njerëzore dhe të konsolidojë bashkëpunimin në mekanizmat shumëpalësh, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm kirgizistanas ftoi më shumë ndërmarrje kineze që të investojnë e të bëjnë biznes në Kirgizistan dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare midis Kinës, Kirgizistanit e Uzbekistanit, për të filluar sa më parë ndërtimin e një hekurudhe që lidh të tre vendet. (Li Huailiang/Artan)