Scholz e Macron: Gjeorgjia po devijon nga rruga europiane
2024-05-21 14:17:22

Foto nga VCG

Gjermania dhe Franca u shprehën me “shqetësim të thellë” për situatën në Gjeorgji, shkruan “Panorama”.

Në deklaratën e përbashkët të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, bëhet e ditur se të dy vendet konstatojnë me keqardhje të thellë për vendimin e qeverisë gjeorgjiane dhe partisë në pushtet për të devijuar nga rruga evropiane.

Në deklaratën e përbashkët franko-gjermane thuhet: “Dy vendet tona e kanë mbështetur gjithmonë rrugën europiane të Gjeorgjisë dhe kanë mbështetur në mënyrë aktive vendimin e Këshillit të Europian të dhjetorit 2023 për dhënien e statusit të kandidatit”.

Lidhur me ligjin e diskutueshëm në deklaratë thuhet se qeveria gjeorgjiane dhe partia në pushtet kanë vepruar kundër vlerave dhe aspiratave të përbashkëta evropiane të popullit gjeorgjian.

“Rruga europiane e Gjeorgjisë është hartuar, por Gjeorgjia vendos me çfarë shpejtësie dhe drejtimi do të ecë përpara”,- thuhet në deklaratë.

Gjeorgjia mori nga fundi i vitit të kaluar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Sipas sondazheve, më shumë se 80 për qind e gjeorgjianëve janë pro anëtarësimit të vendit të tyre në BE dhe NATO.

Ligji për kufizimin e ndikimit të huaj në shoqërinë civile në Gjeorgji u miratua nga Parlamenti në fillim të javës së kaluar, megjithë protestat masive nga dhjetëra mijëra qytetarë në Tbilisi.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, vuri të dielën veton ndaj ligjit të miratuar nga Parlamenti, por vetoja e saj mund të anulohet nga Parlamenti. (Fatosi)