Austria do të rifillojë ndihmën për agjencinë e OKB-së për palestinezët
2024-05-20 14:20:06

Foto nga VCG

Austria tha të shtunën se do të rivendosë fondet e saj për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) pasi e pezulloi atë për akuzat se stafi ishte i përfshirë në sulmet e Hamasit të 7 tetorit, citon RTSH Agence France-Presse (AFP).

Izraeli pretendoi në janar se disa punonjës të Unrwa-s mund të kenë marrë pjesë në sulmet e Hamasit më 7 tetor dhe në javët që pasuan, shumë shtete donatore, përfshirë Austrinë, pezulluan ose ndaluan 450 milion dollarë financime. Shumë vende donatore, duke përfshirë Gjermaninë, Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë, kishin rifilluar financimin.

“Pas analizimit të planit të veprimit në detaje” të paraqitur nga Unrwa “për të përmirësuar funksionimin e organizatës”, Austria ka vendosur të “lëshojë fondet”, tha ministria e saj e jashtme në një deklaratë, raporton AFP.

Një total prej 3.4 milion € (3.7 milion dollarë) në fonde janë buxhetuar për vitin 2024, dhe pagesa e parë pritet të bëhet në verë, thuhet në deklaratë.

“Disa nga fondet austriake do të përdoren në të ardhmen për të përmirësuar mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Unrwa”.

Sipas AFP, Austria tha se do të “monitorojë nga afër” zbatimin e planit të veprimit me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke vënë në dukje se “shumë besim ishte shpërdoruar”.

Austria tha se ka rritur ndjeshëm mbështetjen për popullsinë palestineze në Gaza dhe rajon që nga 7 tetori, duke vënë 32 milionë euro (34.8 milionë dollarë) ndihmë humanitare në dispozicion të organizatave të tjera ndërkombëtare të ndihmës.(Fatosi)