BE heton kompaninë “Meta” mbi shqetësimet për mbrojtjen e fëmijëve
2024-05-19 14:57:11

foto nga CFP

foto nga CFP

Komisioni Europian njoftoi se ka nisur hetimet ndaj kompanisë “Meta” mbi shqetësimet për mbrojtjen e fëmijëve në lidhje me platformat e saj “Facebook” dhe “Instagram”.

“Hetimet kanë të bëjnë me shqetësimet se dy platformat mund të shfrytëzojnë dobësitë dhe mungesën e përvojës së të miturve dhe të shkaktojnë varësi te ata”,- thuhet në një njoftim për shtyp të KE-së.

“Një problem tjetër janë efektet e një mjedisi të çuditshëm, konfuz, që i tërheq ata në përmbajtje gjithnjë e më shqetësuese”,- tha një zyrtar i komisionit.

Ekzekutivi i BE-së është gjithashtu i shqetësuar për aksesin e të miturve në përmbajtje të papërshtatshme, si dhe për privatësinë e tyre, shkruan “ATSH”.

“Ne nuk jemi të bindur që kompania “Meta” ka bërë mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet, për të ulur rreziqet e efekteve negative në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve europianë në platformat e saj”,- deklaroi komisioneri i industrisë së BE-së, Thierry Breton.  (Irma)