Xi: Kina do të ndërtojë një bashkësi me një të ardhme të përbashkët me vendet arabe
2024-05-17 11:04:58

CFP

Samiti i 33-të i Ligës Arabe në Manama, Bahrein, 16 maj 2024/CFP

Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet arabe për të ndërtuar një bashkësi kino-arabe me një të ardhme të përbashkët të një niveli më të lartë, tha presidenti kinez Xi Jinping në një mesazh urimi që i dërgoi të enjten mbretit të Bahrejnit Hamad bin Isa Al Khalifa, kryetar i radhës i Këshillit të Krerëve të Lidhjes së Shteteve Arabe, mbi organizimin e Samitit të 33-të të Lidhjes Arabe në Bahrejn.

Xi vuri në dukje se Lidhja Arabe është e angazhuar prej kohësh për të nxitur bashkimin dhe vetëforcimin e botës arabe, si edhe paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin në Lindjen e Mesme.

Vitet e fundit, përballë ndryshimeve të botës, kohës dhe historisë, vendet arabe i janë përmbajtur pavarësisë, kanë nxitur zhvillimin dhe rigjallërimin, kanë mbështetur barazinë e drejtësinë dhe kanë ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale, tha Xi, duke shtuar se vendet arabe po luajnë një rol më të rëndësishëm në forcimin e solidaritetit dhe bashkëpunimit të Jugut Global dhe në mbështetjen e interesave të tyre të përbashkët.

Ai theksoi se lidhjet kino-arabe janë tani në periudhën më të mirë në histori.

Në fund të këtij muaji do të organizohet në Pekin mbledhja e 10-të ministrore e Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe, tha Xi, duke shprehur shpresën që të dy palët do ta shfrytëzojnë këtë mbledhje si një rast për të thelluar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, që të sjellin më shumë përfitime për të dy popujt.(Xu Guang)