Kina dhe Rusia publikojnë deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik
2024-05-16 21:49:01

Foto:CMG

Foto:CMG

Presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin nënshkruan dhe publikuan të enjten një deklaratë të përbashkët mbi thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkërendimit Kinë-Rusi për një epokë të re, me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së lidhjeve diplomatike midis të dy vendeve.

Të dyja palët vunë në dukje se marrëdhëniet e tanishme kino-ruse e tejkalojnë modelin e aleancave ushtarake e politike të Luftës së Ftohtë dhe kanë karakteristikat e mosangazhimit, moskonfrontimit dhe mosshënjestrimit të ndonjë pale të tretë. Të dyja palët ritheksuan vullnetin e tyre për të thelluar më tej bashkërendimin e gjithanshëm strategjik, për të mbështetur në mënyrë të vendosur njëri-tjetrin në çështjet që përfshijnë interesat thelbësore të secilit vend, si sovraniteti, integriteti territorial, siguria dhe zhvillimi, për të shfrytëzuar në mënyrë të arsyeshme e efektive epërsitë e tyre përkatëse dhe për t'u fokusuar në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kombëtare të tyre dhe në nxitjen e zhvillimit dhe rigjallërimit.

Rusia ritheksoi angazhimin e saj ndaj parimit të "Një Kine", e njeh Tajvanin si pjesë të patjetërsueshme të Republikës Popullore të Kinës, kundërshton çdo formë të "pavarësisë së Tajvanit" dhe mbështet me vendosmëri masat e Kinës për të mbrojtur sovranitetin kombëtar e integritetin territorial dhe për të arritur ribashkimin kombëtar. Kina mbështet Rusinë në ruajtjen e sigurisë e të qëndrueshmërisë, në arritjen e zhvillimit e të prosperitetit dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të saj, dhe kundërshton ndërhyrjen nga forcat e jashtme në punët e brendshme të Rusisë.

Si forca të pavarura në procesin e ndërtimit të një bote shumëpolare, Kina dhe Rusia do të promovojnë realizimin e një shumëpolariteti të barabartë e të rregullt botëror dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, do të bashkojnë forcat e tyre për të ndërtuar një botë shumëpolare të drejtë e të arsyeshme dhe do të forcojnë komunikimi e bashkërendimin brenda kornizave të tilla si Kombet e Bashkuara, BRICS-i dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait.

Foto:CMG

Foto:CMG

Të dy palët theksuan se do të forcojnë  më tej bashkëpunimin në fushat e politikës, ekonomisë dhe tregtisë, energjetikës, bujqësisë, hapësirës ajrore, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, industrisë, infrastrukturës, transportit dhe logjistikës, bashkëpunimit portual, investimeve, arsimit, shkencës dhe teknologjisë, kulturës, turizmit, medies dhe në fusha të tjera.

Të dyja palët ritheksuan angazhimin e tyre ndaj "Deklaratës së përbashkët të udhëheqësve të pesë shteteve me armë bërthamore për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e një gare armatimesh" të publikuar më 3 janar 2022, veçanërisht konceptit se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet ose nuk mund të zhvillohet, dhe u bënë thirrje edhe një herë të gjitha vendeve pjesëmarrëse në deklaratën e përbashkët që ta zbatojnë në mënyrë efektive këtë deklaratë.

Të dyja palët besojnë se të gjitha shtetet me armë bërthamore duhet të respektojnë parimet e ruajtjes së qëndrueshmërisë strategjike globale, dhe të sigurisë së barabartë e të pandashme, dhe nuk duhet të zgjerojnë aleancat e koalicionet ushtarake ose të krijojnë baza ushtarake pranë kufijve të shteteve të tjera me armë bërthamore, veçanërisht duke vendosur paraprakisht armë bërthamore dhe mjetet e dërgimit të tyre, si edhe objekte të tjera strategjike ushtarake që cenojnë interesat jetike të njëri-tjetrit. Duhet të merren masa të gjithanshme për të parandaluar konfrontimin e drejtpërdrejtë ushtarak midis shteteve me armë bërthamore, duke u fokusuar në eliminimin e shkaqeve rrënjësore të konflikteve në fushën e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë veprime për të vendosur sisteme raketash me rreze të mesme veprimi me bazë tokësore në rajonin e Azi-Paqësorit, me pretekstin e kryerjes së stërvitjeve të përbashkëta me aleatët e saj, të cilat kanë në shënjestër të qartë Kinën dhe Rusinë. Shtetet e Bashkuara pretendojnë gjithashtu se do të vazhdojnë të promovojnë praktikat e sipërpërmendura dhe përfundimisht të realizojnë synimin e tyre për vendosjen rregullisht të raketave në mbarë botën. Të dyja palët shprehin dënimin më të fortë për masat e sipërpërmendura që minojnë jashtëzakonisht qëndrueshmërinë rajonale dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së Kinës e Rusisë, dhe do të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin për t'iu përgjigjur së ashtuquajturës politikë e "përmbajtjes së dyfishtë" të Shteteve të Bashkuara, që është jokonstruktive e armiqësore ndaj Kinës dhe Rusisë.

Foto:CMG

Foto:CMG

Të dyja palët kundërshtojnë përpjekjet e vendeve të veçanta për të përdorur hapësirën e jashtme për konfrontim të armatosur dhe kundërshtojnë zhvillimin e politikave e të aktiviteteve të sigurisë që synojnë krijimin e epërsive ushtarake dhe përcaktimin e përdorimin e hapësirës së jashtme si një "territor luftimi".

Të dyja palët rikonfirmuan respektimin e detyrimeve të kontrollit të eksportit sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, Konventës për Ndalimin e Armëve Biologjike dhe Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Të dy palët janë të gatshme të thellojnë bashkëpunimin në luftimin e terrorizmit e ekstremizmit ndërkombëtar dhe të ndjekin një qëndrim të "tolerancës zero" ndaj "tre forcave të së keqes", duke përfshirë "Lëvizjen Islamike të Turkistanit Lindor". Në të njëjtën kohë, ato janë të gatshme ta forcojnë më tej bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar ndërshtetëror, korrupsionit, trafikut të drogës e fusha të tjera dhe t'u përgjigjen  së bashku sfidave e kërcënimeve të tjera të reja.

Rusia vlerëson pozitivisht qëndrimin objektiv e të drejtë të Kinës për çështjen ukrainase dhe pajtohet me pikëpamjen se kriza duhet të zgjidhet në bazë të respektimit të plotë të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Rusia mirëpret gatishmërinë e Kinës për të luajtur një rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës ukrainase nëpërmjet kanaleve politike dhe diplomatike.

Të dyja palët theksuan se të gjitha veprimet që do të zgjatnin luftën dhe do ta përshkallëzonin më tej konfliktin duhet të ndërpriten dhe kërkuan parandalimin e daljes së krizës jashtë kontrollit. Të dyja palët theksuan se dialogu është një mënyrë e mirë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Të dyja palët besojnë se për të zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme krizën e Ukrainës, është e nevojshme të eliminohen shkaqet rrënjësore të krizës, të këmbëngulet në parimin e sigurisë së pandashme dhe të merren parasysh interesat dhe shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve.

Të dyja palët nxitin ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme dhe kundërshtojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të rajonit. Të dyja palët mbështesin një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë e të qëndrueshme të çështjes palestineze në bazë të së drejtës së njohur ndërkombëtare  me "zgjidhjen me dy shtete" si një element kyç dhe presin të shohin krijimin e një shteti të pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, dhe që bashkëjeton në paqe dhe siguri me shtetin e Izraelit.(Zhang Yan/Artan)