Dielli lëshon valën magnetike më të madhe të zjarrtë në afro një dekadë
2024-05-16 15:02:00

Foto nga VCG

Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, bëri të ditur se Dielli lëshoi të martën valën më të madhe të flakës së zjarrtë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, të pazakonta në shumë pjesë të botës, shkruan “Panorama”.

Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.

Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të Diellit, që po i afrohet kulmit, sipas NOAA-s. Lajmi i mirë është se kësaj here Toka ishte jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së Diellit në drejtim të kundërt të Tokës.

Observatori i Dinamikave Diellore, i NASA-s, e vlerësoi shpërthimin e ndritshëm të rrezeve X si më të fuqishmin që nga viti 2005.

NASA bëri të ditur se stuhia gjeomagnetike e fundjavës bëri që një nga satelitët e saj mjedisorë të rrotullohej papritur për shkak të uljes së lartësisë si rezultat i stuhisë hapësinore dhe të aktivizonte sistemin e vetëmbrojtjes për rrethana të tilla.

Shtatë astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës u këshilluan të qëndronin brenda zonave që ofrojnë mbrojtje të fortë nga rrezatimi.

NASA bëri të ditur se ekuipazhi nuk ishte në rrezik. (Irma)