Putin i hapur për dialog për krizën në Ukrainë
2024-05-16 12:06:28

Foto nga VCG

Në lidhje me përpjekjet e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin shprehu pikëpamje pozitive për qëndrimin e saj.

Në një intervistë për Agjencinë Xinhua, në prag të vizitës së tij shtetërore dy ditore në Kinë, që fillon të enjten, ai tha se Kina i kupton qartë rrënjët e krizës në Ukrainë dhe ndikimin e saj gjeopolitik global, siç pasqyrohet në "Pozicioni i Kinës për Zgjidhjen Politike të Krizës në Ukrainë", një propozim prej 12 pikësh i lëshuar nga Kina në shkurt 2023. Konceptet dhe sugjerimet në dokument, tregojnë dëshirën e sinqertë të Kinës për të stabilizuar situatën, shtoi ai.

Putin theksoi se katër parimet për zgjidhjen paqësore të krizës në Ukrainë, të propozuara së fundmi nga presidenti kinez Xi Jinping, përshtaten pa problem në dokumentin e lartpërmendur.

"Hapat bazohen në idenë se ne duhet të heqim dorë nga 'mentaliteti i Luftës së Ftohtë', si edhe të sigurojmë siguri dhe respekt të pandashëm për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB në tërësinë dhe ndërlidhjen e tyre," tha ai.

"Ne kurrë nuk kemi refuzuar të negociojmë," tha Putin "Ne po kërkojmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të drejtë të konfliktit nëpërmjet mjeteve paqësore. Ne jemi të hapur për një dialog mbi Ukrainën, por negociata të tilla duhet të marrin parasysh interesat e të gjithë vendeve të përfshira në konflikt, përfshirë edhe tonat”.

Rusia dhe Kina po nxisin prosperitetin e dy vendeve, përmes bashkëpunimit të zgjeruar të barabartë dhe reciprokisht të dobishëm, në fushat ekonomike dhe kulturore, tha Putin.

Duke iu referuar bashkëpunimit praktik në fushën tregtare dhe ekonomike, Putin vuri në dukje se zhvillimi i shpejtë i marrëdhënieve tregtare Rusi-Kinë, ka treguar imunitet të fortë ndaj sfidave dhe krizave të jashtme.

Në pesë vitet e fundit, tregtia midis dy vendeve është dyfishuar. Ai vuri në dukje se Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Rusisë për 13 vite radhazi. Në vitin 2023, Rusia renditet e katërta në mesin e partnerëve tregtarë të Kinës. Mes kompanive nga të dy vendet, transaksionet shlyhen në monedhat e tyre kombëtare, shtoi Putin.