BE do të vendosë zjarrfikës nga 12 vende në zonat e nxehta të zjarreve
2024-05-16 14:59:19

Foto nga VCG

Bashkimi Europian ka planifikuar të stacionojë më shumë se 500 zjarrfikës nga 12 shtete në vende të rëndësishme në Evropë këtë verë për të luftuar zjarret, shkruan “ATSH”.

“Ata do të mbështesin brigadat lokale të zjarrfikësve në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë midis kombeve të tjera”,- njoftoi Komisioni Europian.

Sipas KE-së, kjo masë proaktive forcon gatishmërinë e Evropës për të luftuar zjarret në pyje dhe për të zbutur ndikimin e tyre shkatërrues në jetë, shtëpi dhe mjedis.

Për t’u pajisur më mirë për të luftuar zjarret, BE-ja tani po mbështetet në një flotë speciale avionësh zjarrfikës, që përbëhet nga 28 avionë dhe katër helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare.

Vitin e kaluar, mbi gjysmë milioni hektarë u shkatërruan nga zjarret pyjore në vendet e BE-së.

“Për sa i përket zonës së djegur, kjo e bën vitin 2023 një nga vitet më të këqija për zjarret në pyje në BE”,- thuhet në një raport të Qendrës së Përbashkët të Kërkimit të Komisionit të BE-së (JRC). (Irma)