Zhvendosja e njerezve
Konfliktet dhe dhuna kanë rritur numrin e njerëzve të zhvendosur në rang botëror, duke arritur shifrën rekord prej 75.9 milionë personash.
Gati gjysma e tyre jetojnë në pjesën jugore të shkretëtirës së Saharasë në Afrikë, sipas një raporti të ri nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme (IDMC), shkruan “Panorama”.
Raporti zbulon se konfliktet në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos dhe territoret palestineze përbënin gati dy të tretat e zhvendosjeve të reja për shkak të dhunës, të cilat në tërësi përfshinin 66 vende në vitin 2023.
“Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi parë nivele të reja alarmante të njerëzve që duhet të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit dhe dhunës, madje edhe në rajone ku situata ishte përmirësuar”,- tha Alexandra Bilak, drejtoreshë e IDMC-së, sipas së cilës, këto të dhëna janë vetëm maja e ajsbergut.
Raporti vë në dukje se numri i zhvendosjeve të brendshme, domethënë numri i rasteve kur njerëzit janë detyruar të lëvizin gjatë gjithë vitit për t’i shpëtuar konfliktit, brenda vendit të tyre, është rritur në dy vitet e fundit.
Në raportin mbi popullsinë e zhvendosur me forcë në vitin 2023, agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, raportoi se 62.5 milionë njerëz ishin zhvendosur brenda vendit në fund të vitit 2022 krahasuar me 36.4 milionë refugjatë që kishin ishin larguar nga konflikti, dhuna dhe persekutimi po atë vit.
Sipas IDMC-së, zhvendosjet e reja të brendshme vitin e kaluar ishin kryesisht për shkak të konfliktit në Ukrainë, i cili filloi në vitin 2022, si dhe konfliktit të vazhdueshëm në Republikën Demokratike të Kongos dhe shpërthimit të luftës në mes të prillit të vitit 2023 në Sudan.
Në pesë vitet e fundit, raporti zbulon se numri i njerëzve që jetojnë duke u zhvendosur brenda vendit për shkak të konfliktit dhe dhunës është rritur me 22.6 milionë.
Sudani kryesoi listën me 66 shtete të vitit të kaluar me 9.1 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit për shkak të konfliktit, i ndjekur nga Siria me më shumë se 7 milionë, Republika e Kongos, Kolumbia dhe Jemeni.
Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë shkaktuan 4.7 milionë zhvendosje.
Sipas raportit, vitin e kaluar u regjistruan zhvendosje nga fatkeqësitë në 148 vende dhe territore, dhe këto përfshijnë vende me të ardhura të larta si Kanadaja dhe Zelanda e Re, të cilat regjistruan shifrat e tyre më të larta ndonjëherë.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimaterike po shpeshtojnë dhe po i bëjnë më intensive ngjarjet ekstreme të motit dhe kjo mund të çojë në më shumë zhvendosje, por jo me patjetër. (Irma)