Krerët e shtetit të Kinës dhe Rusisë takohen së bashku me shtypin
2024-05-16 18:12:37

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin u takuan të enjten me shtypin pas bisedimeve mes tyre në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin.

Foto:CMG

Foto:CMG

Xi vuri në dukje se kjo është vizita e parë jashtë vendit e Putinit pas marrjes së mandatit të ri si president i Rusisë, gjë që ka pasqyruar rëndësinë që ai dhe pala ruse u kushtojnë marrëdhënieve me Kinën. “Gjatë bisedimeve të sapopërfunduara, zhvillova një bisedë të sinqertë, miqësore dhe mbi gamë të gjerë temash me presidentin Putin, gjatë së cilës përmblodhëm përvojat e suksesit në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në 75 vjetët e fundit, shkëmbyem mendime në mënyrë të thelluar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e rëndësishme ndërkombëtare e rajonale, si edhe planifikuam zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve e të bashkëpunimit dypalësh", tha kreu i shtetit i Kinës.

Ai theksoi më tej se ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Rusisë. Gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet kino-ruse kanë përballuar ndryshimet e janë bërë më të forta me kalimin e kohës. Arsyeja pse këto marrëdhënie kanë pasur arritje të jashtëzakonshme janë "pesë këmbënguljet" që kanë zbatuar gjithmonë të dyja palët.

Së pari, këmbëngulja në respektimin e ndërsjellë si themel, duke dhënë gjithmonë mbështetje të ndërsjellë për çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësorë të njëri-tjetrit. Të dyja palët do të vazhdojnë të ndjekin parimin e "mosangazhimit, moskundërvënies dhe mosshënjestrimit të palëve të treta", të thellojnë vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik dhe të respektojnë rrugët e zhvillimit të zgjedhura prej vetë atyre për të realizuar zhvillimin dhe rilindjen e ndërsjellë nëpërmjet mbështetjes së fortë.

Së dyti, këmbëngulja në bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë. Vitin e kaluar, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe Rusisë i tejkaloi 240 miliardë dollarët, me një rritje prej gati 1.7 herë në krahasim me një dekadë më parë. "Presidenti Putin dhe unë ramë dakord që duhet të përmirësojmë më tej strukturën e bashkëpunimit, të konsolidojmë bashkëpunimin në fushat tradicionale, si ekonomia e tregtia, të mbështesim krijimin e platformave të kërkimit shkencor bazë dhe të çlirojmë mundësitë për bashkëpunim në fushat e porteve kufitare, të logjistikës e të transportit, duke ruajtur qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të furnizimit," u shpreh Xi.

Së treti, këmbëngulja në nxitjen e miqësisë Kinë-Rusi. Xi u shpreh që ai dhe presidenti Putin e kanë caktuar këtë vit dhe vitin e ardhshëm si Vitet e Kulturës Kinë-Rusi dhe kanë propozuar që të dyja palët të zhvillojnë një sërë aktivitetesh shkëmbimi kulturor për të inkurajuar të gjitha sferat e jetës në të dy vendet për të forcuar shkëmbimet dhe për të promovuar mirëkuptimin e afrimin e ndërsjellë ndërmjet të dy popujve.

Së katërti, këmbëngulja në udhëheqjen e qeverisjes globale në drejtimin e duhur nëpërmjet bashkërendimit strategjik. Të dyja palët kanë mbrojtur me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar mbi ligjin ndërkombëtar, duke u bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar ngushtë në platforma shumëpalëshe, si Kombet e Bashkuara, APEC-u e G20, duke promovuar shumëpolaritetin botëror dhe globalizimin ekonomik me multilateralizëm të vërtetë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së pesti, këmbëngulja në parimin e drejtësisë dhe nxitjen e zgjidhjes politike të çështjeve të nxehta. "Presidenti Putin dhe unë jemi të mendimit se është urgjente të zgjidhet konflikti palestinezo-izraelit. Duhet të zbatohen siç duhet rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe të zgjidhet kjo çështje mbi bazën e 'projektit të dy shteteve'. Ramë dakord se zgjidhja politike e krizës së Ukrainës është drejtimi i duhur. Qëndrimi i Kinës për këtë çështje është konsekuent e i qartë dhe përfshin respektimin e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, respektimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të të gjitha vendeve, respektimin e shqetësimeve të arsyeshme të sigurisë të të gjitha palëve dhe formimin e një kornize të re të sigurisë të ekuilibuar, efektive dhe të qëndrueshme. Kina pret me padurim të shohë rivendosjen e paqes e qëndrueshmërisë në Europë dhe është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim," vuri në dukje presidenti Xi.

Presidenti Putin tha nga ana e tij se, që nga vendosja e lidhjeve diplomatike midis Rusisë dhe Kinës 75 vjet më parë, marrëdhëniet dypalëshe janë shndërruar në një model të marrëdhënieve midis vendeve të mëdha dhe vendeve fqinje. Rusia e konsideron Kinën si një partnere bashkëpunimi afatgjatë e të besueshme dhe është e gatshme të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin me palën kineze në fushat e politikës, ekonomisë, kulturës, arsimit, sigurisë etj., duke organizuar me sukses  Vitet e Kulturës Rusi-Kinë dhe duke thelluar shkëmbimet njerëzore e kulturore. Rusia dhe Kina ruajnë një koordinim të ngushtë në arenën ndërkombëtare dhe janë të përkushtuara së bashku për të promovuar krijimin e një rendi botëror shumëpolar e më demokratik. Të dy vendet janë të gatshme të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin brenda kornizave të tilla si BRICS-i dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, si edhe shkëmbimet mbi çështjet e rëndësishme ndërkombëtare e rajonale, duke promovuar paqen dhe zhvillimin rajonal e botëror. (Zhang Yan/Artan)