Presidenti kinez Xi Jinping zhvillon bisedime me homologun rus Putin
2024-05-16 18:00:40

Në paraditen e së enjtes, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun rus Vladimir Putin, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.

Foto:CMG

Foto:CMG

Dy krerët e shteteve zhvilluan fillimisht bisedime në grup të vogël.

Xi Jinping-u vuri në dukje se ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Rusisë. Përfundimi më i rëndësishëm i nxjerrë nga historia 75-vjeçare e zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Rusi është se këto dy vende të mëdha fqinje duhet t'u përmbahen gjithmonë Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore dhe ta respektojnë njëri-tjetrin mbi bazën e barazisë dhe besimit reciprok, duke marrë parasysh shqetësimet e njëri-tjetrit dhe duke mbështetur zhvillimin e ndërsjellë. Kjo është jo vetëm rruga e duhur për marrëdhëniet Kinë-Rusi, por edhe drejtimi ku duhet të ecin marrëdhëniet ndërmjet vendeve kryesore të botës në shekullin e 21-të.

Vladimir Putini tha se zhvillimi i marrëdhënieve Rusi-Kinë nuk është një veprim i përkohshëm, nuk synon palët e treta dhe është në favor të qëndrueshmërisë strategjike ndërkombëtare. Rusia është e gatshme të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën, të mbajë komunikimin dhe bashkërendimin e ngushtë brenda kornizave si Kombet e Bashkuara, BRICS-i dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, dhe të promovojë së bashku me Kinën vendosjen e një rendi ndërkombëtar më të drejtë dhe më të arsyeshëm.

Më pas, të dy krerët e shteteve zhvilluan bisedime në grup të madh.

Ata dëgjuan raportet e kryetarëve të komiteteve të bashkëpunimit ndërqeveritar të të dy vendeve për bashkëpunimin në investime, energjetikë, ekonomi, tregti, zhvillimin e krahinave në Verilindje e Lindjen e Largët, shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe çështjet ndërkombëtare, duke shprehur kënaqësi për përparimet e arritura deri tani e duke pohuar propozimet për bashkëpunimin e ardhshëm.

Foto:CMG

Foto:CMG

Xi theksoi se këtë vit do të kremtohet 75-vjetori i themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Kina po promovon në mënyrë të gjithanshme modernizimin e stilit kinez nëpërmjet zhvillimit me cilësi të lartë, duke përshpejtuar zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore dhe duke shtuar një forcë të re në rritjen ekonomike globale. Të dyja palët duhet të forcojnë më tej integrimin e strategjive të zhvillimit dhe të vazhdojnë të pasurojnë përmbajtjet e bashkëpunimit dypalësh në të mirë të dy popujve, duke dhënë më shumë energji pozitive për lulëzimin dhe qëndrueshmërinë botërore. Të dy vendet duhet të përmirësojnë më tej strukturën e bashkëpunimit ndërmjet tyre, të forcojnë komunikimin dhe bashkërendimin në platformat ndërkombëtare shumëpalëshe, si Kombet e Bashkuara, BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, si edhe mbi çështjet rajonale, duke promovuar krijimin e një qeverisjeje globale të drejtë dhe të arsyeshme.

Nga ana e tij, Putini u shpreh se vendosja dhe zhvillimi i marrëdhënieve ruso-kineze bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë, respektit të ndërsjellë e ndihmës për zhvillimin reciprok dhe u ka rezistuar provave të ndryshme. Rusia është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar "Planin e bashkëpunimit ekonomik Rusi-Kinë deri në vitin 2030", të organizojë me sukses aktivitetet në kuadër të Viteve të Kulturës Rusi-Kinë sivjet dhe vitin tjetër e të forcojë ndërlidhjen ndërmjet Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë". Vitin tjetër do të shënohet 80-vjetori i fitores së Luftës Antifashiste Botërore dhe gjatë tij Rusia dhe Kina do të organizojnë festime. Rusia e vlerëson qëndrimin objektiv dhe të drejtë të Kinës në çështjet e rëndësishme ndërkombëtare e rajonale dhe është e gatshme të vazhdojë bashkërendimin e ngushtë strategjik me Kinën, për ta mbështetur njëra-tjetrën dhe për të promovuar procesin e shumëpolaritetit botëror dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Foto:CMG

Foto:CMG

Pas bisedimeve, të dy presidentët nënshkruan dhe publikuan bashkërisht "Deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkërendimit për epokën e re ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Federatës Ruse në kuadrin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve” dhe dëshmuan bashkërisht nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh mbi bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, të mbrojtjes së natyrës, të kontrollit e të karantinës, të medias etj.

Liderët e të dy vendeve u takuan së bashku edhe me shtypin.

Para bisedimeve, Xi mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për Putinin në sheshin jashtë portës lindore të Pallatit të Madh të Popullit.(Zhang Yan/Artan)