“Human Rights Watch”: Tetë sulme izraelite ndaj grupeve të ndihmës në Gaza që nga tetori
2024-05-15 14:50:21

Sulmet ndaj ndihmave (Foto Rtsh)

Sulmet ndaj ndihmave (Foto Rtsh)

Forcat izraelite kanë kryer të paktën tetë sulme ndaj autokolonave humanitare dhe objekteve të tyre në Gaza që nga tetori, edhe pasi organizatat e ndihmës u siguruan koordinatat e tyre autoriteteve izraelite, thuhet në raportin e “Human Rights Watch”, sipas së cilit Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nuk lëshuan paralajmërime për organizatat e ndihmës përpara sulmeve, nga të cilat u vranë ose plagosën të paktën 31 persona, shkruan “RTSH”.

Në një incident, më 1 prill, shtatë punonjës të ndihmave u vranë në sulmet me dron në qytetin e Deir al-Balah. Raketat goditën një kolonë prej tre automjetesh të “World Central Kitchen” (ËCK), dy të shënuara me logon e organizatës dhe të gjitha transportonin civilë.

Në raportin e HRW-së thuhet se karvani po udhëtonte në një rrugë për të cilën organizata njoftoi se kishin rënë dakord me ushtrinë izraelite.

Më 9 dhjetor, Marina izraelite gjuajti me top në një pikë të UNRWA-së të përbërë nga dy ndërtesa në Rafah.

Në një incident të tretë, më 8 janar, një predhë izraelite shpoi anën e një ndërtese në të cilën më shumë se 100 staf të “Mjekëve pa Kufij” dhe familjet e tyre ishin strehuar në Khan Younis. Vajza 5-vjeçare e një punonjësi të “Mjekëve pa Kufij” u vra dhe katër persona u plagosën.

Në raportin e HRW-së flitet edhe për pesë sulme të tjera: në një kolonë të “Mjekëve pa Kufij” më 18 nëntor, një pikë për punëtorët nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit dhe Ndihma Mjekësore për Palestinën më 18 janar, një kolonë e UNRWA-së më 5 shkurt, një pikë e “Mjekëve pa Kufij” më 20 shkurt dhe një shtëpi strehimi i një punonjësi të Ndihmës Amerikane për Refugjatët e Lindjes së Afërt më 8 mars.

OKB-ja ka raportuar se 254 punonjës të saj të ndihmës janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori. Personeli i UNRWA-së llogaritet 188 ndër këto viktima.

Sipas UNRWA-së, 169 objekte të saj janë prekur nga armiqësitë dhe të paktën 429 njerëz të zhvendosur janë vrarë në strehimoret e saj. (Elona)