Kina nis fushatën kundër bullizmit në arsimin bazë
2024-05-15 14:39:09

CFP

CFP

Kina ka nisur një fushatë mbarëkombëtare për të adresuar çështjet kryesore, si ngacmimi në kampus dhe detyrat e tepërta të shtëpisë në arsimin bazë.

Sipas një qarkoreje të publikuar të martën nga Ministria e Arsimit, fushata do të vazhdojë deri në fund të vitit dhe do të fokusohet kryesisht në rregullimin dhe korrigjimin e problemeve që lidhen me shkeljet e sigurisë dhe çrregullimin në menaxhimin e përditshëm, citon “Xinhua”.

Qarkorja përshkruan gjithashtu një listë të detajuar të 12 praktikave negative në arsimin bazë. Këto përfshijnë cenimin e pushimeve dhjetë minutëshe të planifikuara të nxënësve, si dhe neglizhimin apo tolerimin e sjelljeve ngacmuese. Aktivitete të tjera të ndaluara përfshijnë fshehjen ose keqpërdorimin e aksidenteve të rëndësishme, diskriminimin e studentëve nga grupet vulnerabël, nënshtrimin e studentëve ndaj ndëshkimeve trupore ose përfshirjen në tarifa të paautorizuara.

Ministria e Arsimit ka udhëzuar autoritetet vendore të përpunojnë listën negative, të kryejnë inspektime dhe të zbatojnë masa korrigjuese.

CFP

CFP

Për më tepër, autoritetet do ta çojnë përpara fushatën përmes mjeteve të ndryshme, të tilla si kryerja e kërkimeve nëpër qytete dhe qarqe të ndryshme, emërimi i inspektorëve për të mbikëqyrur shkollat dhe ofrimi i udhëzimeve profesionale.

Për të siguruar zbatimin efektiv, gjatë fushatës do të krijohet një mekanizëm mbikëqyrjeje dhe ekspozimi, si dhe një sistem vlerësimi i reputacionit.

Kina ka afro 500.000 shkolla dhe kopshte, me mbi 16 milionë mësues dhe 230 milionë nxënës. (Elona)