Industria kineze fantastiko-shkencore, nxitje e re rritëse në ndjekjen e imagjinatës produktive
2024-05-14 14:38:40

Foto nga VCG

Industria fantastiko-shkencore e Kinës po përjeton një zhvillim të përshpejtuar, shkruan “Xinhua”.

Sipas raportit të industrisë fantastiko-shkencore të Kinës 2024, të ardhurat totale të këtij sektori kishin tejkaluar 100 miliardë juanë (14.1 miliardë dollarë amerikanë) për herë të parë në vitin 2023, duke regjistruar rritje vjetore prej 29.1 për qind dhe duke arritur mbi 10 herë më shumë se shifra e vitit 2016.

Duke filluar nga literatura fantastiko-shkencore te filmat dhe veprat televizive fantastiko-shkencore deri te skenarët fantastiko-shkencorë të jetës reale, industria po sheh një vrull të fortë në fusha të reja si konsumi i përmbajtjes, tregu i lojërave dhe zhvillimi i pronësisë intelektuale (IP).

Konsumi i përmbajtjes fantastiko-shkencore është bërë një fushë e re rritjeje për industrinë. Raporti tregon se në vitin 2023, mbi 470.000 video fantastiko-shkencore, të minutazheve të ndryshme, ishin publikuar në platforma video si “Douyin”, “Kuaishou” dhe “Bilibili”, që përfaqësojnë një rritje vjetore prej 192.2 për qind.

Publikimet fantastiko-shkencore gjithashtu patën rritje të qëndrueshme. Të dhënat nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kinës tregojnë se vendi kishte regjistruar një rritje prej 15 për qind në botimet fantastiko-shkencore në vitin 2023, me rreth 250.000 vepra të reja të prodhuara.

Lojërat fantastiko-shkencore kontribuuan në pjesën më të madhe të të ardhurave totale, që përbënin 65.19 miliardë juanë, një rritje prej 15.4 për qind në baza vjetore.

Në vitin 2023, turizmi kulturor fantastiko-shkencor kishte gjeneruar 31.06 miliardë juanë, duke u rritur me 106.7 për qind nga një vit më parë.

Raporti parashikon që ndikimi i teknologjive novatore si inteligjenca artificiale (AI) në industrinë e fantashkencës do të bëhet më evident, ndërkohë që integrimi i thellë i fantashkencës me industritë e ardhshme ka potencialin të kontribuojë në zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore.

Ekspertët ia atribuojnë zgjerimin e shpejtë të industrisë fantastiko-shkencore të Kinës rritjes së aftësive shkencore dhe teknologjike të vendit dhe fuqisë kombëtare. (Fatosi)