Sulmet izraelite në Rafah, mbyllen disa qendra mjekësore
2024-05-12 10:45:30

foto nga VCG

foto nga VCG

Sulmet e fundit izraelite në Rafah kanë çuar në mbylljen e disa prej qendrave mjekësore që deri tani u kishin shërbyer rreth 1.3 milionë banorëve të Gazës që janë strehuar në qytetin jugor për t’i shpëtuar luftimeve në zona të tjera.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një nga tre spitalet e mbetura në Rafah është mbyllur për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike të nevojshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan “Panorama”.  

Organizatat humanitare dhe ato të shëndetësisë paralajmëruan se një ofensivë në shkallë të gjerë nga Izraeli në Rafah do të kishte pasoja katastrofike dhe shtuan se është e pamundur zhvendosja në masë e popullsisë në mënyrë të sigurt.

foto nga VCG

foto nga VCG

Pika kufitare e Rafahut, mes Egjiptit dhe Gazës, është mbyllur që kur ushtria izraelite mori kontrollin e pjesës palestineze të martën, duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare, për të cilat banorët kanë dëshpërimisht nevojë. 

Sipas Kombeve të Bashkuara, në veri të Gazës, popullata po përballet me zi buke. 

foto nga VCG

foto nga VCG

Lufta në Gaza ka detyruar mbi 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset dhe ka shkaktuar shkatërrim në masë të apartamenteve, spitaleve, xhamive dhe shkollave në një sërë qytetesh. 

Zyrtarë të shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, kanë njoftuar se numri i të vrarëve, si pasojë e ofensivës izraelite, ka shkuar në 34.500 vetë. (Irma)