Deklaratë e përbashkët e Republikës Popullore të Kinës dhe Hungarisë për krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat në epokën e re(9 maj 2024)
2024-05-10 04:11:46

Me ftesë të presidentit të Hungarisë Tamás Sulyok dhe të kryeministrit të Hungarisë Viktor Orbán, presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping po zhvillon një vizitë shtetërore në Hungari nga data 8 deri më 10 maj 2024. Gjatë vizitës, presidenti Xi Jinping zhvilloi bisedime me presidentin Sulyok dhe kryeministrin Orbán. Në një atmosferë miqësie, sinqeriteti dhe besimi të ndërsjellë, të dyja palët shqyrtuan themelet solide të marrëdhënieve midis Kinës e Hungarisë dhe miqësinë tradicionale ndërmjet popullit kinez dhe popullit hungarez, patën shkëmbime të thelluara mendimesh për lidhjet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët dhe arritën konsensus të gjerë.

Foto: VCG

Foto: VCG

Të dyja palët vlerësuan lart partneritetin e gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe Hungarisë, të krijuar në vitin 2017, dhe shprehën kënaqësinë e tyre për rezultatet e frytshme të bashkëpunimit praktik dhe miqësor ndër vite. Kina dhe Hungaria e trajtojnë njëra-tjetrën si partnere bashkëpunimi me përparësi, gjithmonë e respektojnë dhe e trajtojnë njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë dhe japin një shembull të mirë të bashkëpunimit pragmatik me përfitime reciproke. Të dyja palët bien dakord të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë, të forcojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të thellojnë bashkëpunimin me përfitim reciprok, në mënyrë që marrëdhëniet dypalëshe të ruajnë nivelin e lartë dhe të sjellin më shumë përfitime për të dy popujt. Me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Hungarisë, të dyja palët vendosën ta ngrenë partneritetin e gjithanshëm strategjik të tanishëm në partneritet të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat në epokën e re. Deklarata vijon si më poshtë:

1. Të dyja palët ranë dakord që të përdorin në mënyrë aktive veprimtaritë dypalëshe dhe shumëpalëshe për të mbajtur takime midis liderëve të të dy vendeve dhe të rrisin më tej rolin e shkëmbimeve të liderëve të dy vendeve në ofrimin e udhëzimeve strategjike.

2. Hungaria respekton arritjet e mëdha që Kina ka shënuar në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe shpreson që populli kinez, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, do ta ndërtojë Kinën në një vend të madh modern socialist në të gjitha aspektet, do të arrijë Objektivin e Njëqindvjetorit të Dytë dhe do të çojë përpara përtëritjen e madhe të kombit kinez në të gjitha frontet përmes modernizimit kinez. Kina përshëndet arritjet e rëndësishme që Hungaria ka shënuar në zhvillimin kombëtar dhe vlerëson politikën e jashtme paqësore, të hapur e pragmatike të Hungarisë dhe rolin e saj pozitiv në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe prosperitetit të përbashkët të Evropës.

3. Të dyja palët mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën në ruajtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe integritetit territorial. Kina respekton zgjedhjen e pavarur prej Hungarisë të një rruge zhvillimi dhe politikave të brendshme e të jashtme të përshtatshme për kushtet e saj kombëtare, dhe përkrah përpjekjet e bëra nga pala hungareze për të ruajtur qëndrueshmërinë kombëtare dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. Qeveria hungareze mbetet e vendosur në respektimin e parimit të “Një Kine” dhe ripohon se ka vetëm një Kinë në botë dhe se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson Kinën. Hungaria kundërshton të gjitha format e aktiviteteve separatiste për të thyer unitetin e Kinës.

4. Të dyja palët janë të gatshme të nxisin shkëmbimet e nivelit të lartë, të intensifikojnë shkëmbimet e bashkëpunimin ndërmjet pushteteve qendrore e vendore, organeve ligjvënëse dhe partive politike të të dy vendeve në të gjitha nivelet, të forcojnë shkëmbimin e përvojave në qeverisje dhe të përmirësojnë më tej strategjinë dhe besimin e ndërsjellë politik.

5. Të dyja palët ranë dakord se bashkëpunimi i tyre në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” ka dhënë rezultate të frytshme dhe se “Një brez, një rrugë” ka luajtur një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve në të dy vendet. Për të pasuruar partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-Hungari në epokën e re, të dyja palët janë të përkushtuara për të rritur sinergjinë midis “Një brez, një rrugë” dhe politikës së "Hapjes drejt Lindjes" të Hungarisë. Duke përdorur mekanizma dhe platforma të tilla si Komiteti Ndërqeveritar i Bashkëpunimit për “Një brez, një rrugë” dhe Qendra e Promovimit të Bashkëpunimit për “Një brez, një rrugë”, të dyja palët do të synojnë një përparim më të thellë dhe më thelbësor në bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të “Një brez, një rrugë”, do të garantojnë së bashku sigurinë dhe mbarëvajtjen e projekteve përkatëse të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si edhe do të bëjnë përpjekje për rezultate më të frytshme në bashkëpunimin praktik. Të dyja palët do të forcojnë më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin në politikat e zhvillimit ekonomik dhe do të promovojnë shkëmbimin e praktikave dhe përvojës më të mirë në fushat kryesore.

6. Pala hungareze vlerëson rolin pozitiv që kanë luajtur ndërmarrjet kineze në zhvillimin kombëtar të Hungarisë, mirëpret më shumë ndërmarrje kineze për të investuar dhe për të bërë biznes në Hungari dhe është e gatshme të nxisë një mjedis të favorshëm investimi dhe biznesi për to. Të dy palët e pranojnë se Hungaria ka kushte të favorshme për të ofruar një pikë takimi për ekonomitë dhe teknologjitë lindore dhe perëndimore. Pala kineze do të vazhdojë të inkurajojë sipërmarrjet kineze që plotësojnë kushtet për të investuar në Hungari. Të dyja palët do të promovojnë bashkëpunimin e rregullt në fushat në zhvillim, duke përfshirë energjinë e pastër, inteligjencën artificiale, teknologjinë e komunikimit të lëvizshëm dhe energjinë e teknologjinë bërthamore. Hekurudha Hungari-Serbi është një projekt historik në kuadër të bashkëpunimit “Një brez, një rrugë”, dhe gjithashtu një projekt kryesor i Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (Bashkëpunimi Kinë-EQL). Të dy palët janë të gatshme të promovojnë në mënyrë aktive ndërtimin e seksionit hungarez të hekurudhës Hungari-Serbi dhe të promovojnë së bashku ndërlidhjen e nivelit të lartë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Të dy palët janë të gatshme të mbështesin në mënyrë aktive zhvillimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të Linjës Ekspres Tokësore-Detare Kinë-Evropë dhe të promovojnë lidhjen dhe tregtinë midis Kinës dhe Hungarisë.

7. Të dy palët ranë dakord se modernizimi kinez do të sjellë mundësi të reja për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve dhe se bashkëpunimi më i fortë praktik dhe lidhjet më të ngushta ekonomike u shërbejnë interesave themelore të popullit kinez dhe popullit hungarez. Të dy palët do të përdorin plotësisht rolin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik Kinë-Hungari dhe të grupeve të punës të lidhura me të për tregtinë elektronike dhe tregtinë, do të mbështesin shkëmbime më të mëdha midis agjencive të promovimit të tregtisë, investimeve dhe industrisë, si edhe dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit të të dy palëve, do të thellojnë bashkëpunimin në ekonominë digjitale e zhvillimin e gjelbër, do të promovojnë forcat e reja nxitëse të rritjes tregtare e ekonomike, dhe do të zgjerojnë e do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, duke ruajtur së bashku qëndrueshmërinë dhe sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.

8. Të dy palët vlerësuan lart zhvillimin e trenit të mallrave Kinë-Evropë midis Kinës e Hungarisë dhe ranë dakord të krijojnë një mekanizëm bashkëpunimi ndërqeveritar për trenin, të promovojnë lidhjen e infrastrukturës dhe të marrin së bashku masa praktike që të garantojnë sigurinë e rrugëve të transportit dhe të përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e trenit të mallrave Kinë-Evropë, në mënyrë që të ofrojnë mbështetje të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve.

9. Pala kineze vlerëson pjesëmarrjen aktive të Hungarisë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës, Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës, Panairin e Importit dhe Eksportit të Kinës dhe Ekspozitën Kinë-Vendet e EQL-së. Kina mbështet pa mëdyshje ndërmarrjet hungareze për të marrë më shumë pjesë në të gjitha llojet e ekspozitave dhe panaireve ekonomike e tregtare që mbahen në Kinë. Të dy palët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin për lehtësimin e zhdoganimit të Linjës Ekspres Tokësore-Detare Kinë-Evropë për të lehtësuar tregtinë ndërkufitare. Pala kineze mirëpret më shumë produkte cilësore dhe ndërmarrje hungareze që plotësojnë kushtet për të hyrë në tregun kinez.

10. Të dy palët e njohin potencialin e madh në bashkëpunimin bujqësor midis dy vendeve dhe përparimin e shëndoshë të bërë në kuadrin e mekanizmit të bashkëpunimit bujqësor Kinë-EQL. Të dy palët do të shfrytëzojnë plotësisht rolin e grupit të punës të nivelit të lartë Kinë-Hungari për bujqësinë dhe mekanizmat e tjerë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë e investimeve midis ndërmarrjeve bujqësore të të dyja palëve, zgjerimin e hyrjes në treg, promovimin e bashkëpunimit për projektet "e vogla dhe të bukura" dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si shëndeti i kafshëve dhe kërkimi e zhvillimi i përbashkët i teknologjive të përpunimit të thellë për produktet bujqësore. Të dy palët ranë dakord të krijojnë një grup pune midis autoriteteve përkatëse për të përmirësuar shkëmbimet teknike për klasifikimin dhe ndarjen, për të nisur dialogun e strukturuar dhe për të nxitur arritjen e një marrëveshjeje për klasifikimin dhe ndarjen në rast të sëmundjeve të kafshëve sa më parë.

11. Të dy palët do të thellojnë më tej bashkëpunimin në financa, do të inkurajojnë institucionet financiare të të dyja palëve të ofrojnë mbështetje financiare e shërbime financiare për bashkëpunimin në tregti e investime, do të shfrytëzojnë më tej potencialin e bashkëpunimit në financat e gjelbra dhe fusha të tjera dhe do të vazhdojnë të nxjerrin bashkërisht bono “Panda” të gjelbra. Pala hungareze vlerëson mbështetjen e çmuar fiskale dhe financiare të Kinës. Pala kineze mbështet institucionet financiare kineze në ngritjen e degëve të tyre në Hungari në përputhje me kërkesat rregullatore.

12. Të dy palët janë të gatshme të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në planifikimin tokësor e hapësinor, të promovojnë krijimin e një mekanizmi të rregullt komunikimi e shkëmbimesh, të eksplorojnë së bashku mënyra për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit të nivelit të lartë dhe të trajtojnë së bashku sfidat e reja në frontet e globalizimit, urbanizimit, tranzicionit të gjelbër e me karbon të ulët dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

13. Të dy palët janë të përkushtuara të zgjerojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin kulturor dhe njerëzor, të organizojnë së bashku aktivitete përkujtimore për 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Hungarisë në vitin 2024, dhe të konsolidojnë vazhdimisht miqësinë midis dy popujve dhe themelin popullor të marrëdhënieve dypalëshe. Të dy palët do të mbështesin shkëmbimet dhe bashkëpunimin midis Qendrës Kulturore Kineze në Budapest, Institutit “Liszt” - Qendrës Kulturore Hungareze në Pekin dhe institucioneve të tyre kulturore përkatëse vendore, akademive dhe trupave artistike dhe kolegjeve profesionale të kulturës dhe artit, do të mbështesin zhvillimin e projekteve artistike dhe ekspozitave në vendet e njëri-tjetrit dhe do të inkurajojnë përkthimin, botimin dhe promovimin e veprave letrare.

14. Të dy palët do të forcojnë koordinimin dhe komunikimin mbi politikat turistike, do të zhvillojnë së bashku itineraret turistike dhe do të krijojnë produkte turistike, për të nxitur rimëkëmbjen e shpejtë dhe zhvillimin e shëndetshëm të turizmit. Pala hungareze e vlerëson lart zbatimin e politikës pilot të heqjes së vizave për Hungarinë nga ana e Kinës. Pala kineze i vlerëson lart masat e reja për lehtësimin e vizave për menaxherët dhe ekspertët e kualifikuar të kompanive të mëdha kineze që investojnë në Hungari. Të dy palët janë të gatshme të rrisin më tej nivelet e tyre përkatëse të lehtësimit të vizave dhe të krijojnë kushte më të favorshme për udhëtimet e dyanshme brenda detyrimeve të veta ndërkombëtare dhe kombëtare. Të dy palët mbështesin kompanitë e aviacionit të të dy vendeve në rritjen e fluturimeve të drejtpërdrejta midis Kinës dhe Hungarisë sipas kërkesës së tregut, për të nxitur më tej zhvillimin e biznesit e turizmit dhe kontaktet njerëzore.

15. Të dy palët do të forcojnë më tej bashkëpunimin arsimor, do të mbështesin më shumë shkëmbimet midis universiteteve dhe grupeve studimore të të dy vendeve, do të inkurajojnë institucionet arsimore të të dy vendeve të kryejnë projekte të përbashkëta kërkimore e trajnuese dhe do të mbështesin shkëmbimet e dyanshme ndërmjet studentëve. Të dy palët ranë dakord të shfrytëzojnë plotësisht rolin e shkollës dygjuhëshe hungarisht-kinezisht e të Institutit “Konfuci” në Hungari, si edhe të kurseve të gjuhës hungareze në universitetet kineze, do të vazhdojnë të përkrahin të rinjtë e të dy vendeve në mësimin e gjuhëve të njëri-tjetrit, dhe do të thellojnë bashkëpunimin në mësimdhënien e gjuhës.

16. Të dy palët do të thellojnë bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë në inovacionin shkencor dhe teknologjik. Të dy palët ranë dakord të zhvillojnë një sesion të ri të rregullt të Komitetit të Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik Kinë-Hungari brenda këtij viti, të vazhdojnë të zgjerojnë shkëmbimet e njerëzve mbi shkencën dhe teknologjinë, të forcojnë ndërtimin e platformave të përbashkëta kërkimore-shkencore dhe të kërkojmë më shumë mundësi për bashkëpunimin në kërkimin bazë, kërkimin për aplikim dhe shfrytëzimin e rezultateve të kërkimit shkencor dhe teknologjik.

17. Të dy palët i kushtojnë rëndësi të madhe shëndetit dhe mirëqenies së banorëve, dhe bashkëpunimi i tyre në luftën kundër COVID-19 ka pasur rol udhëheqës në botë. Të dyja palët do të thellojnë bashkëpunimin në shëndetësi dhe do të punojnë për përmirësimin e qeverisjes globale të shëndetit publik. Të dyja palët do të forcojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si politikat shëndetësore, parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve infektive dhe sëmundjeve kronike joinfektive, shëndetësia me teknologji digjitale, personeli mjekësor, kërkimet mjekësore dhe mjekësia tradicionale. Të dyja palët mbështesin promovimin dhe aplikimin e mjekësisë tradicionale kineze në Hungari dhe Evropën Qendrore dhe Lindore.

18. Të dyja palët do të vazhdojnë të promovojnë binjakëzimin e qyteteve, të promovojnë shkëmbimet miqësore mes të rinjve të të dy vendeve dhe të zgjerojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të tilla si sporti, filmi dhe televizioni e media.

19. Të dy palët ndajnë pikëpamjen se bashkëpunimi Kinë-EQL ka promovuar në mënyrë efektive bashkëpunimin praktik dhe shkëmbimet njerëzore dhe është bërë një platformë e rëndësishme për Kinën dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për të thelluar miqësinë e bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë, si edhe është një përplotësues i dobishëm për marrëdhëniet Kinë-Evropë dhe Kinë-Hungari. Në përputhje me nismat kryesore të BE-së, bashkëpunimi Kinë-EQL ka nxitur zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE. Pala kineze e vlerëson kontributin e palës hungareze në zhvillimin e bashkëpunimit Kinë-EQL dhe mbështet palën hungareze për të luajtur një rol më të rëndësishëm në fushën e financave, transportit, turizmit, shëndetësisë, shkencës e teknologjisë, shkëmbimeve njerëzore, mjedisit, biznesit dhe drejtime të tjera të bashkëpunimit brenda mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL. Të dy palët janë të gatshme të forcojnë komunikimin dhe koordinimin bazuar në parimet e hapjes, gjithëpërfshirjes dhe përfitimit reciprok, për të nxitur së bashku për një përparim të ri dhe më të madh në bashkëpunimin Kinë-EQL.

20. Kina riangazhohet për zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE, inkurajon shkëmbimet e nivelit të lartë për të nxitur konvergjencën e pikëpamjeve mbi çështjet strategjike, rritjen e shkëmbimeve njerëzore, përballimin e përbashkët të sfidave globale dhe promovimin e bashkëpunimit ekonomik në një mënyrë proaktive dhe të ekuilibruar. Hungaria, si shtet anëtar i Bashkimit Evropian, ndan këto mendime dhe do të japë kontributin e saj për to.

21. Të dy palët nënvizojnë rëndësinë e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve. Hungaria i kushton vëmendje të veçantë Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale dhe Nismës së Qytetërimit Global të propozuara nga Kina. Të dyja palët ripohojnë rëndësinë e sigurisë dhe paqes globale. Të dyja palët ritheksojnë se do të ruajnë së bashku sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në qendër, rendin ndërkombëtar të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare të bazuara mbi objektivat e parimet e Kartës së OKB-së, dhe do të punojnë për një rend ndërkombëtar më të drejtë, duke mbrojtur me vendosmëri paqen e qëndrueshmërinë botërore.